Edhe e enjtja ishte një ditë intensive për ish- kryeministrin Sali Berisha që për herë të parë në gjithë jetën e tij politike thërritet nga një gjykatë dhe për të vendoset masa “detyrim paraqitje’ dhe “ndalim për të udhëtuar jashtë vendit”.
Pas betejës së tërheqjes së avokatëve të Berishës dhe dy të caktuar nga shteti, Gjykata ka gjetur një të tretë për të hequr “qafe” anën proceduriale, por ende me pikëpyetje të mëdha. Edhe u mbajt një seancë e cila nuk nryshoi asnjëgjë për Berishën.
Gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për ish- kryeministrin Sali Berisha në lidhje me aferën e ish-kompleksit Parizani ku në gjykim janë dhëndërri i tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bekteshi.
Berisha do të thërritet dy herë në muaj nga gjykata. “Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha”, thuhet në njoftim.
Gjyqtarja nuk përjashtohet
Kërkesës së Sali Berishës dhe avokatëve mbrojtës të tij për të përjashtimin nga gjykimi gjyqtaren Irena Gjoka nuk u mor parasysh.
“Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e djeshme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj”, thuhet në vendim. E ndërsa avokatët e vendosur nga shteti nuk kanë marrë përsipër mbrojtjen e Berishës. Avokatet Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia të zgjedhura nga shteti për të bërë mbrojtjen e Sali Berishës pas “shkarkimit” të Artan Simonit, kanë zgjedhur të mos e marrin përsipër çështjen. Në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, GJKKO caktoi si avokate për të ndjekur Berishën, Valentina Todoreskun, të cilës i la kohën e nevojshme për t’u njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha. “Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, lexohet në vendim.
Reagimi i Berishës për avokatët
Sali Berisha deklaroi se nuk kishte asnjë njoftim nga Gjykata në lidhje me ndërrimin e avokatëve për çështjen e tij. Në një deklaratë për mediat, para selisë së PD-së, ish-kryeministri hodhi akuza ndaj avokatit të caktuar për seancën ndaj tij, Artan Simoni. Sipas Berishës, ai ishte ekzemplari më i shkëlqyer për fytyrën e Edi Ramës.
“E patë ju kush ishte? Fytyra e vërtetë e tyre. Nuk kam asnjë njoftim për avokatët e rinj. Por ai që ishte, ai ishte ekzemplari më i shkëlqyer për fytyrën e Edi Ramës”, u shpreh Berisha. Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi largimin e avokatit Artan Simoni, si avokat mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha me qëllim zëvendësimin e tij me një tjetër avokat nga lista./kb