Ese nga: Bujar Meholli
Tek po e rilexoja “Nji të premte në mjes” të Langston Hughes-it, përkthyer nga Ramiz Kelmendi dhe botuar nga “Rilindja” e Prishtinës, nisa të krijoj analogji me epokën kur autori e shkroi këtë tregim përmbajtjen e të cilit do ta analizoj në vijim dhe marrëdhëniet njerëzore në ditët tona. Hughes është autor afro-amerikan i lindur më 1901 në Missouri të ShBA-ve. Herët e filloi karrierën e shkrimtarit, gjithsesi me damkën e të qenit “me ngjyrë” nën diktatin stereotipizimit nga “të bardhët”. Shkruan pjesë teatrale, poezi, proza të shkurtra, boton e bashkëpunon me sërë gazetash, gjithashtu dhe përkthen herë mbas here, tregime kubanezo-meksikane, duke u shndërruar në figurë kyçe të Harlem Renaissance. Lirikat e tij janë të lidhura me xhazin, përgjithësisht pothuaj pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij lidhet me xhazin, deri aty sa të quhet “poet i xhazit” – ndaj, afërmendsh, shumë poezi të tij u muzikuan suksesshëm e gjithashtu u përkthyen në shumë gjuhë. Si të thuash, Hughes, është njëfarë Boris Viani afro-amerikan në kuptimin e aktivizimit social dhe thyerjes së konditave konservatore-shkrimore.
Përgjatë luftës, një numër i madh afro-amerikanësh u dyndën drejt frontit. Pothuaj një milionë sish. Hierarkia sunduese, amerikane, gjatë Luftës II Botërore, përdorte armatën e “zezë”. Kjo konsiston në kontradiktat që plasën më pas kur lufta ndaj shfrytëzimit, racizmit shkoi në instanca të larta – përpjekjet për drejtësi sociale e barazi u intensifikuan. Këtu e merr, si të thuash, brumin, bebop-i, një modul i xhazit që u përhap dendur. Ishte mu ajo kohë kur Charlie Parker shpallte “tamam kohën e duhur për t’i dhënë fund racizmit njiherë e mirë” te incizimi i famshëm Now’s The Time. Ai ishte gjithsesi novator, transformues muzikor e padyshim revolucionar. Apolitik, bir i muzikës, Parker-i s’para votonte e as rrekej të përqafonte aksh ideologjinë politike – atij i interesonte demaskimi i shtypësve dhe luftimi i racizimit të institucionalizuar – këtij dibbuku që ndjell ters, përçarje e morbiditet – artikulimi i dëshpërimit përmes muzikës, ai ishte apostulli i revoltës muzikore përmes xhaz-bebop-it.
Afërmendsh, xhazi i orëve të para nuk ishte varietet i muzikës së argëtimit nëpër mejhanet luksoze të kapitalistëve; njashtu siç blues-i krijon substratin e realitetit faktik të një disbalance sociale e politike që plekset në instrumentalët sensitivë e lirikat tejet melankolike të Muddy Waters-it, Memphis Slim-it, Lightnin’ Hopkins’it, Loonie a Robert Johnson-it, xhazi është shpërthim, është revoltë dhe muzikë e klasës punëtore, e të varfërve nën hierarkinë kapitaliste që kishte shtënë në duar bizneset me incizimet, pllakat e gramafonit, koncertet, ndejat e ndryshme glamuroze. Xhazi – siç shprehet Eric Hobsbawm – përbën fenomenin unik të një muzike popullore që, rezistente, nën fuqinë e shoqërisë kapitaliste u zgjerua ndjeshëm por asnjëherë nuk u përmbyt nga standardet kulturore të shtresave të larta. Këtu, ma ha mendja, do të shkonte edhe një pasazh nga Theodor Adorno i cili shkruan: Industria e kulturës i mashtron vazhdimisht konsumatorët për atë që proklamon. Premtimet e saj për kënaqësi/zbavitje janë inskenime që zgjasin pafundësisht, premtimet për spektakle janë veçse iluzione; në të vërtetë ajo pikë e gjakuar s’arrihet asnjiherë. Kultura s’është veçse një mall paradoksal. I nënshtrohet në plotni ligjit të konsumit gjer aty sa të mos konsumohet më; përdoret aq verbërisht gjer aty sa të mos përdoret për fare. Shkrihet me reklamën. Sa më e pakuptimtë kjo e fundit, nën thundrën e monopolit, aq më e plotfuqishme bëhet. Motivet janë dukshëm ekonomike, ndaj domosdo krijon ngopje, deri edhe apati.
Erich Fromm-i shkruan: Duket se pjesa më e madhe e njerëzve ndikohet lehtë, njâshtu si fëmijët infantilë, për t’ia lënë me dëshirë vullnetin ndonjërit që di të flasë me zë të ëmbël apo kërcënues-nënshtrues. Mákar, kush ka nji bindje aq të fortë për ta kundërshtuar turmën, paraqet përjashtim rregulli e rendi, përjashtim shpeshherë i admiruar shekuj më vonë, por i qesëndisur nga bashkëkohësit. Nisur nga ky postulat do ta trajtojmë tregimin e lartcekur dhe përpjekjet e autorit të tij për një ambient pluralist, laik e demokratik, të cilin madje e pa si alternativë edhe te komunizmi. Hughes, aktivist social, humanist e demokrat-socialist, pati ndërmarrë një udhëtim në Bashkimin Sovjetik për ta xhiruar, potencialisht, një film që do të pasqyronte vuajtjet e afro-amerikanëve, megjithëse nuk u realizua asnjëherë. Tërheqja e tij ndaj komunizmit atëbotë asnjëherë nuk e tejkaloi simpatinë. Ai nuk qe pjesëmarrës aktiv pa çka se nga të djathtë-konservatorë u akuzua e anatemua. Këtu, dua ta theksoj përafrimin me kantautorin legjendar Woody Guthrie i cili, socialist e bard i klasës punëtore amerikane, nuk iu bashkua kurrë Partisë Komuniste, siç edhe Hughes. Komunizmin më tepër e panë si alternativë përbashkimi e zhdukje të urrejtjes e padrejtësive midis njerëzve, të çfarëdo ngjyre, sesa ideologji regresive e totalitare, veçanërisht staliniste.
Le t’i kthehemi tregimit, citimet e të cilit do t’i bëj, të gjitha, nga përmbledhja e tregimeve moderne amerikane, botuar nga “Rilindja” më 1958. Sipari hapet me vajzën e re, nxënësen afro-amerikane Nensi Li, e cila do të merrte pjesë në një konkurs arti. I ati i saj është shpërndarës poste, e ëma punëtore në shtëpinë e kulturës së qytetit. Me origjinë nga një familje që s’heq dorë për shkollim dhe prosperitet, Nensi qe mjaft e talentuar, e urtë dhe e heshtur, ajo luan basketboll, është e shkëlqyer në mësime, ka zë të veçantë në këndim, admiron mësuesen e saj të artit, zonjushën Ditrih; nganjëherë harron se është “zezake”. Ja, një ditë ndodh kjo ngjarje: Zojusha Ditrih ishte gjithmonë zemërmirë. ,,Nensi Li” tha, ,,piktura juej është shpërblye — keni fitue bursën e Klubit t’artistave”. Syt e vajzës zeshkane, truphjedhun, u hapën, zemra nisi me i rrahë me të shpejtë, e mandej iu ngushtue fyti prap. Provoi me buzëqeshë, mirëpo në vend të kësaj i rrodhën lott. E dashtun Nensi Li, tha zojusha O’Shej, na gëzohemi tepër për ju.” Grueja e bardhë, pak si në moshë, ia kapi dorën dhe e shtërngoi, kurse zojusha Ditrih shkëlqente prej krenarije. S’do mend që kjo do të ishte mrekullia vetë, do të ishte jetësim i një ëndrre të kamotshme për të, për familjen, për Amerikën. Ajo mediton: Zezaku n’Amerikë shpesh i fyem, i diskriminuem, ndonjiherë i lynçuem — mirëpo yjt kanë qenë aty gjithmonë — fusha e blertë e flamurit. A thue ekziston ndonji flamur tjetër në botë, që ika kaq shum yje?” Nensi Li u thellue në mendime, por nuk i ra ndërmend asnji nga të gjitha enciklopedit dhe shkrojat që i ka shfletue deri sot. Gjithsesi, ëndrrat e saj për integrim dhe barazi ndërpriten arbitrarisht, ngase komisioni me ta marrë vesh ngjyrën e saj të lëkurës e kthen vendimin mbrapsht: Na duket më e arsyeshme që tash e tutje, simbas konstatimit të lirë, tu ndajmë shpërblimet gjimnazeve të ndryshme të qytetit. Aq më parë në kët rast, mbasi ka ngja që asht zgjedhë nxansja zezake, rrethanë kjo e cila, mjerisht, sikur ta kishim dijtë ma parë, ka mujtë me evitue kët gjë të papëlqyeshme. Mirëpo, kurr nuk ka pasë studenta zezak n’akademin e këtushme t’artit, kështu që pranija e nji nxanseje të tillë në të do të mund të krijonte vështirsi për gjithë t’interesuemit. Çmojmë pamasë njëfarë talenti të Nensi Li Xhonson, por jemi të mendimit se do t’ishte e paarsyeshme sikur t’ia jepshim shpërblimin e Klubit t’artistave. E trishtuar por jo e thyer, Nensi, do t’iu formulonte dy-tri fjali zonjave të “bardha”: “Po fjalimi im ka qenë për… Amerikën…” Dinjitetshëm, duke u bashkuar me vajzat tjera maturante, Nensi deklamon: Betohem se do t’i qëndroj besnik flamurit të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës dhe Republikës. Fjalët u banë më të fuqishme, zani i vajzës së zezë më i fuqishëm, gjithashtu. Nji popull i pandashëm, edhe lirija, edhe drejtsija për të gjithë. Ky është vendi të cilin duhet ta krijojmë” dhe këtu mbyllet tregimi. Në shekullin tonë, megjithë zhvillimin enorm të teknologjisë, ende flitet për ndasi dhe mentalitet ndarës, prapanik, përçmues, midis njerëzve, entiteteve, religjioneve. Situata është e njëjtë: Nensit e ditëve të sotme përjetojnë secili në formën e vetë kalvarin e abuzimit, përçmimit, neglizhencës nga tjetri. Ndaj, arti duhet të jetë përherë në funksion të marrëdhënieve të shëndosha njerëzore, të jetë aktiv dhe i angazhuar për të adresuar çështje të ndryshme sociale. Letërsia, që bëhet larg fanfarave dhe komercializmit, buron pikërisht nga kontradiktat dhe të keqen, të shëmtuarën e shndërron në mjet të fuqishëm estetik për t’i demaskuar shëmtitë e racës njerëzore karshi stimulimit të potencës së madhe për ta pranuar tjetrin, për t’i shkrirë diferencat dhe ta krijuar vërtet botën demokratike-pluraliste.