Kosova dhe Shqipëria kanë nisur muaj më parë procedurat për regjistrimin e popullsisë. Kosova është pothuajse gati për publikimin e të dhënave të Census-it, ndërsa në Shqipëri, publikimi i këtyre të dhënave është shtyrë sërish.
Për këtë opozita ka hedhur akuza ndaj kryeministrit duke thënë se arsyeja e vërtetë e shtyrjes së publikimit të rezultatit, është fakti se Rama kërkon të fshehë shpopullimin e vendit gjatë qeverisjes së tij.
Njëjtë duket se mendon dhe gazetari gjerman Michael Martens, i cili në rrjetin e tij social ‘X’, shkruan se pasi pati një bisedë me një shqiptar, ndjehet i konfuzuar nëse Kosova, një shtet relativisht i ri, ka aktualisht më shumë banorë se Shqipëria?
POSTIMI I PLOTË:
Bisedë me një bashkëbisedues shqiptar:
A mund të ndodhë që numri i popullsisë të Shqipërisë të ketë rënë aq shumë sa që Kosova e Kurtit tani të ketë më shumë banorë se Shqipëria e Ramës?
Nëse po, çfarë do të thotë kjo për ekuilibrin e brendshëm midis dy shteteve?
Publikimi i rezultateve ishte parashikuar të bëhej më datë 19 qershor. Ndërkohë më 27 maj u njoftua në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat se kjo do bëhet më 28 qershor. Po ashtu bëhet me dije se të dhënat e detajuara të këtij CENS-i do të bëhen publike në muajin tetor të këtij viti.
Censi nisi në 18 shtator 2023 dhe duhet të përfundonte në 30 tetor, por u shty nga INSTAT për shkak se nuk ishin numëruar të gjitha qytetet e vendit. Përgjatë këtyre javëve qytetarët janë pyetur në lidhje me familjen, punën, arsimin si dhe për fenë, gjuhën dhe etninë.
Për të bërë regjistrimin e popullsisë dhe banesave në terren janë angazhuar më shumë se 5200 anketues./ S.M