Kryeministrja e Italisë Gorgia Meloni ka vijuar fushatën e saj në Itali me kampin e refugjatëve që po ndërtohet në Gjadër të Lezhës. Investimi i shtetit italian në vendin tonë po bëhet pikë e programit për zgjedhjet që do të mbahen në 6 qershor në Itali. Pak ditë para vizitës së saj në Shqipëri, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vazhdon të ketë në retorikën e saj kampet e refugjatëve që po ndërtohen përtej detit.
Në një aktivitet të Fratelli d’ Italia ne Romë, Meloni kritikoi zërat që i janë vërsulur kryeministrit Rama në Shqipëri për ndihmën ndaj Italisë. Ajo tha se se kritikët e kanë qujatur qeverinë cinike. “Të dëshpëruar u munduan të na përshkruajnë si qeveri cinike dhe çnjerëzore, që kënaqej duke pare barka me emigrantë tek përmbyseshin pak metra prej brigjeve italiane. Veçse keto varka nuk përmbysen prej qeverisë sonë.
Por për faj të kriminelëve pa skrupuj që ata bëjnë sikur s’i shohin ndërsa ne i luftojmë”, tha Meloni. Numri një i qeverisë italiane tha gjatë takimit se i dërgonte një përqafim Edi Ramës për marrëveshjen e bërë.
“E kuptojnë italianët dhe në Europë, ku Italia ka ndryshuar qasjen ndaj emigrantëve duke ndjekur marrëveshje me vendet e Afrikës veriore dhe duke propozuar zgjidhje inovatore si ajo Itali- Shqipëri.
I dërgojmë një përqafim kryeministrit socialist shqiptar Edi Rama, të cilin po e “masakrojnë” vetëm se u përpoq të ndihmonte Italinë“, u shpreh kryeministrja italiane gjatë një fjalimi në një takim elektoral.
Marrëveshja e nënshkruan në nëntor mes 2 kryeministrave në Romë parashikon që emigrantët nga Afrika të cilët mbërrijnë në brigjet italiane do të dërgohen në kampet në Shqipëri, derisa të merret një vendim për fatin e tyre, nëse do tu pranohet kërkesa për azil në vendin fqinj.
Ku do të ndërtohet?
Dy do të jenë strukturat që sipas marrëveshjes me Italinë do të ndërtohen në Shqipëri për të pritur emigrantët. E para do të jetë në Portin e Shëngjinit, ku do të jetë akomodimi i parë i emigrantëve, regjistrimi i tyre, kontrolli i parë dhe nisja e tyre për në strukturën tjetër, e cila do të ndërtohet vetëm 20 kilometra me tutje, ose rreth 30 minuta larg, në fshatin Gjadër në Lezhë. Aty do të qëndrojnë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës për azil.
Strukturat në Shëngjin e Gjadër është parashikuar që të presin jo më shumë se 3 mijë persona në muaj që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Pra, do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 vendstrehime.
E rëndësishme të theksohet është fakti se nuk bëhet fjalë për çdo emigrant të paligjshëm që shkon në Itali por vetëm ata që shpëtohen në detin Mesdhe, me shumë mundësi ato që shpëtohen nga anijet e organizatave jo qeveritare, dhe nuk ka arritur të shkojë në territorin italian.
Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë parashikon që jo të gjithë emigrantët që kapen në det do të vijnë në strukturat që do të ngrihen në territorin shqiptar. Do të përjashtohen të miturit, gratë shtatzëna dhe grupe të tjera vulnerable, të cilët me t’u shpëtuar në det do të shkojnë në Itali dhe jo në strukturat e ndërtuara në territorin shqiptar.
Sa do të qëndrojnë?
4 javë mendohet të rrijë maksimalisht një emigrant i paligjshëm në strukturat në Shëngjin dhe në Gjadër. Procedurat për vlerësimin nëse ka të drejtë të fitojë azil do të zgjasin pikërisht 28 ditë, dhe nëse ata nuk do të kualifikohen si fitues të së drejtës për të marrë azil do të kthehen mbrapsht në vendet e tyre.
Kur do të vijnë emigrantët e parë?
Në pranverën e ardhshme pritet të mbërrijnë në Shëngjin e Gjadër refugjatët e parë të shpëtuar nga autoritetet italiane në det. Nuk ka një datë të saktë se kur strukturat e pritjes dhe akomodimit do të jenë gati por vetë kryeministrja italiane tha se qeveritë shpresojnë që pranvera 2024 të jetë momenti kur të vijnë anijet e para me refugjatë.