Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni sëbashku me kryeministrin Edi Rama do të inspektojnë punimet në dy kampet e ngritura për të pritur emigrantët të cilët do të kapen në Detin Mesdhe.
Të dy pritet të mbajnë një konferencë për shtyp nga kampet e papërfunduar në Shëngjin dhe Gjadër. Meloni “përdor” kampet si kartë të fituar zgjedhjet për eurodeputetë në Itali.
Një ditë para se të mbahen zgjedhjet në Parlamentin Europian, kryeministrja e Italisë Georgia Meloni do të vizitojë Tiranën për disa orë. Numri një i qeverisë italiane do të vizitojë dy kampet ku do të qëndrojnë emigrantëve që do të drejtohen vendit të saj. Kjo do të jetë e vetmja ndalesë e kryeministrisë së Italisë.
Ajo do të inspektojë ndërtimin e qendrës së pritjes të emigrantëve në Shëngjin, sikurse, do të shikojë edhe procesin e ndërtimit të ambienteve akomoduese në Gjadër. Kryeministria Meloni do të shoqërohet nga një numër i madh gazetarësh italianë ku së bashku me kryeministrin Edi Rama do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp.
Marrëveshja Shqipëri-Itali u nënshkrua në Romë vitit të kaluar ku Tirana zyrtare ra dakord që t’i pranojë azilkërkuesit e kapur në Detin Mesdhe dhe t’i strehojë ata derisa kërkesat e tyre të përpunohen. Italia, ndërkohë, do të financojë ngritjen e qendrave të pritjes – njëra në Shëngjin, tjetra në Gjadër – si dhe do t’i paguajë shpenzimet për sigurinë dhe kujdesin mjekësor. Në Shengjin, ndërtimi i qendrës ka përfunduar, ndërsa në Gjadër ende jo.
Qendrat do të mund të strehojnë maksimum 3.000 azilkërkues brenda një periudhe. Marrëveshja është për pesë vjet dhe me të drejtë rinovimi edhe për pesë vjet të tjerë. Opozita shqiptare e kundërshtoi këtë marrëvedhje e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit e cilësoi në përputhje me Kushtetutën duke i hapur rrugën marrëveshjes. Ajo e akuzoi edhe për mungese transparence.
“Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk kishte asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin”, tha Partia Demokratike pas nënshkrimit të marrëveshjes. Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve ka tri objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm të njerëzve, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes. Kjo është vizita e dytë e Melonisë brenda një viti kalendarik.
Verën e shkuar ajo zgjodhi Shqipërinë për të kaluar pushimit. Vizita e Kryeministres italiane në Shqipëri zhvillohet në një kohë kur opozita në Itali ka krijuar polemika për ndërtimin e dy kampeve për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër. Po ashtu mjaft e ashpër ka qenë edhe opozita italiane e cila ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri e konsideron si shpelje e hapur e të drejtave të njeriut.
Emigrantët, kryesisht afrikanë që kapen në det, pa mbërrut në brigjet italiane do të dërgohen në Shqipëri, por pas një selektimi. Në vendin tonë do mbërrijnë kryesisht të rinj, pasi gratë, fëmijët dhe të moshuarit do të trajtohen në qendrat italiane.