Pavarësisht kundërshtive, më një gusht, të dyja kampet për pritjen dhe trajtimin e refugjatëve afrikanë të kapur në det para zbarkimit në Itali pritet të jenë gati. Si do funksionojnë kampet në Gjadër dhe Lezhë pas investimit 1 miliardë euro.
Më 1 gusht do të jenë operative dy qëndrat e hapura për të pritur emgirantët që do të kapen në Detin Mesdhe që synim do të kenë të prekin tokën italiane. Kjo datë u bë publike dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që mbajti kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Georgia Meloni në Shëngjin.
Shefja e Qeverisë qëndroi disa orë në Shqipëri dhe vizita e vetme ishte Shëngjini ku inspektoi punimet e qëndrës që pritet të presë emigrantët me paratë e qeverisë italiane.
Sipas shefes së Qeverisë këto qendra duhet të ishin hapur më parë, por vonesat kanë ardhur edhe për shkak të terrenit të vështirë. Madje kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës italiane, që ka akuzuar Melonin se kjo marrëveshje është reklamë elektorale.
“Unë po bëjë punën time dhe e kuptoj mirë opozitën, por unë nuk do bëjë fushatë zgjedhore, të vetmin event që kam zhvilluar ka qenë javën e kaluar. Atëherë çfarë duhet të bëjmë, të pezullojmë veprimtarinë e qeverisë? Epo këtë nuk mund ta bëjë dot? Qendrat do të jenë operative prej 1 gushtit, fillimisht me 1 mijë vende dhe më pas për të mbërritur tek shifra 3 mijë vende”, tha ajo. Numri një i mazhorancës ka dhënë edhe detaje me pagesat që do të bëhen për menaxhimin dhe shpenzimet e transportit të tyre, duke thënë se i kursen qeverisë italaine një shumë prej 136 milionë euro në vit.
“Ministria e Brendshme ka shpallur një garë për shpenzimet e transportit që arrijnë shifrën 13.5 milionë euro por sigurisht edhe për sa i përket situatës në detin Kuq e Mesdhe do të shikojmë mundësinë e trajtimit të emigranteve nga anijet e marinës italiane. Kostoja është 343 milionë euro në vit që përbëjnë 7.5% të trajtimit të emigrantëve në territor kombëtar. Pra, do të kursejmë 136 milionë euro në vit” shpjegoi Meloni. Sipas shefes së qeverisë këtë po tentojnë ta bëjne edhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
“Kjo marrëveshje po bëhet model, pak javë më parë rreth 15 vende evropiane nga 27 nënshkruan një apel drejtuar Komisionit për të kërkuar ndër të tjera që të ndjekë modelin italian”, shtoi Meloni. Sipas saj, emigrantët e sjellë në Shqipëri mund të ishin çuar kudo në Itali, ku sipas saj kushtojnë shtrenjtë.
“Elementi më i dobishëm i këtij projekti është se ai mund të përfaqësojë një mjet të jashtëzakonshëm për të penguar ata që duan të arrijnë në Evropë në mënyrë të parregullt dhe për të luftuar trafikantët. Dhe kjo do të thotë të çojë në kontrollin e kostos”, tha Meloni.
Takimi
Një ditë para zgjedhjeve europiane, Giorgia Meloni, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi ka mbërritur në Shqipëri për të materializuar marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve. Në portin e Shëngjinit, rreth 70 kilometra larg Tiranës, u përfundua me shpejtësi struktura e parë, e cila megjithatë nuk mund të përdoret për momentin.
Shëngjini është në fakt qendra që duhet të caktohet për procedurat e hyrjes së emigrantëve. Struktura tjetër, në Gjadër, është në fakt ende një kantier i hapur: supozohej të ishte gati më 20 maj. Qendrat e pritjes së emigrantëve të cilët do të synojnë vendet e Bashkimit Europian janë marrë në dorëzim nga pala italiane.
Qendra e pritjes, që ishte bërë gati gjatë inspektimit të kryeministres italiane, do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e emigrantëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit.
Marrëveshja
Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Georgia Meloni, firmosën në Itali marrëveshjen për strehimin në vendin tonë, të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Itali, deri në shqyrtimin e kërkesave. Më pas, në Shëngjin dhe Gjadër, nisi puna për ngritjen e strukturave akomoduese, që vetë Meloni i inspektoi dje nga afër, nëpërmjet një vizite blic.
Ndalesa e parë është në portin e Shëngjinit, e cila është dhe porta hyrëse për këta emigrantë, por në fakt porti do të jetë vetëm tranzit, pasi aty do të bëhen kontrollet e nevojshme sipas procedurave dhe më pas emigrantët do të transportohen për në strukturën e dytë akomoduese që do të ndërtohet në fshatin Gjadër.
Në bazat ushtarake të Gjadërit, të cilat prej vitesh janë jashtë funksionit dhe pritet që të ndërtohen kampet që do të akomodohen emigrantët afrikanë. Puna për ndërtimin e kampit pritet të nis së shpejti dhe në pranverën e vitit të ardhshëm pritet të akomodohen emigrantët e parë. Po ashtu në marrëveshje theksohet se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.
Shpenzimet do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Italia merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Po kështu Italia merr përsipër 100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore dhe barnave, përfshirë vaksinat.