Gjermania luajti edhe testin e fundit miqësor para Europianit të shtëpisë, teksa tashmë vëmendja e skuadrës së Nagelsmann shkon te ndeshja hapëse e kompeticionit, ndaj Skocisë më 14 qershor.
Testi i fundit i “pancerave” ishte ai në “Borussia Park” ndaj Greqisë, të cilën djemtë e Nagelsmann e fituan me rezultatin 2-1 me përmbysje, një takim ku vuajtën jo pak për të siguruar triumfin.
Masouras shënoi për grekët në pjesën e parë, ndërsa Gjermania gjeti golin e barazimit me Havertz në minutën e 54-t dhe më pas, në të 89-ën ishte mbrojtësi Gross që lëshoi një goditje spektakolare nga jashtë zone, duke dërguar topin në trekëndësh.
E nëse Gjermania fiton, nuk bën dot të njëjtën gjë Anglia, që u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Islanda në “Wembley”. Miqtë shënuan golin e vetëm të ndeshjes që në minutën e 12’, ndërsa skuadra e Southgate bëri shumë pak për të ndryshuar rezultatin dhe një pjesë e mirë e tifozëve nisën të largohen nga stadiumi disa minuta para fundit.