Tregim nga Fatlum Meholli
Ishin bërë më se shtatë muaj që 113-vjeçari Turil Kloi dergjej nëpër shtratet e spitalit “Vendi i Shëndetit”. Në fillim u fut në një dhomë të ngushtë me një shtrat në mes, me ndriçim artificial nëmungesë të dritareve të mëdha. Aty ndodhej edhe njënevojtore e vogël në qoshe që vazhdimisht lëshonte aromë jashtëqitjeje. Tre muaj më vonë, Turil Kloi dhe dy pacientë si ai zhvendosen në dhomën “purgatori 2”. Kjo hapësirë, e pastër dhe e bukur, antipod i tjetrës, ua shtonte ymrin pacientëve, i mbushte jetë dhe kënaqësi. Derë e bukur me xham në mes ku qëndronte gjithnjë infermierja në gjendje gatishmërie, mure të dekoruara, pamje brilante nga dritaret e mëdha nëpërmjet së cilave depërtonte ngrohtësia e diellit, banja me gjithë të mirat, prej seteve tëfurçave të dhëmbëve e deri në xhakuzi, televizioni s’di sa inç në ballë të dhomës, e mos të flasim për tavolinën që qëndronte gjithnjë e begatë aty afër dritares…Tre pacientët e shtrirë sodisnin këto mrekulli dhe pëshpëritnin me njëri-tjetrin.
– O shokë, a po shihni edhe ju çfarë po shoh unë?
– Ma hoqe dilemën, sepse mendoja që veç unë po përfytyroj!
– Ngadalë o miq, se më duket se unë i rashë në fije se ç’ka ndodhur. Poget që kemi vdekur njëkohësisht të tre. – theksoi Kloi.
Pacientët e moshuar, me në krye 113-vjeçarin Kloi, nuk mund ta dallonin jetën nga vdekja – e fundit u dukej e nevojshme ndërsa e para torturuese. Por, natyrisht që kjo gjendje ishte realitet të cilin ata e shijuan për dy javë. Do të zgjaste më pak, por ministri i Ministrisë së Shëndetësisë kishte shtyrë nëçastet e fundit vizitën për në spital.
Erdhi dita dhe ja, ministri, me kostum luksoz, flokë tëkrehur, i shoqëruar nga këshilltarë e asistentë, kameramanë e gazetarë, hynte e dilte nëpër dhomat “purgatoriane” të spitalit dhe më pas thurte autolëvdata për punën e vet dhe të qeverisë. Nëpër ato hyrje-daljet e tij kaloi edhe nga dhoma “purgatori 2” ku zhvilloi një bisedësekondashe me Turil Kloin.
– Si po ndihesh i nderuar? – i drejtohet ministri.
– Tash më mirë. Por para një kohe isha diku tjetër, në një dhomë tjetër – aty me mezi…
– Eh mirë shumë. I fortë je ti xhaxha! Shërim tëshpejtë!- ia ndërpret fjalën njëri prej asistentëve dhe të gjithë turravrap dalin nga dhoma.
Në mbrëmje, pacientët e moshuar, në televizionin s’di sa inç, shohin në lajmet e kanalit publik ministrin, spitalin, dhomat “purgatoriane”, madje edhe veten. Krejt të shtangur, s’ia kishin haberin se çfarë po ndodhte, madje Turil Kloi, që vuante nga skleroza, u tha miqve “më kujtohet si sot kjo intervistë, kisha 93 vjeç kur erdhi njëfarë ministri dhe na dha shpresë, por asgjës’pati ndryshuar”. Ata buzagaz pohuan fjalët e kryepacientit.
Të nesërmen Plaku Turil hapi sytë në dhomën paraprake, aty ku ambienti qelbej. U kthye në realitet nga një iluzion që atij i dukej si vdekja. Qe nga ajo ditë e deri tash, nuk ka lëvizur nga dhoma skëterrë, sepse vizitat e ministrit ishin një vjetore ose edhe më shumë.
Po hyjmë në muajin e nëntë që kur Turil Plaku i pavetëdijshëm ishte sjellë në spital nga komshiu. Atë e kishte gjetur të shtirë në dysheme, me ballin e mavijosur, në dhomën e vogël të banesës ku jetonte i vetmuar prej sa e sa dekadash. Një ditë, teksa plaku dukej që po flinte,hynë në dhomë doktori dhe infermierja për të kontrolluar gjendjen e pacientit. Gjatë qëndrimit disa minutash, u zhytën në bisedë tëçuditshme:
– Doktor, vetëm ky ka mbetur nga të moshuarit që vizitoi ministri muaj më parë. Të tjerët i kemi hequr qafe. Si thua të veprojmë me këtë?
– Keni kujdes. Ai është më i vjetri. Nuk gjen plak 113-vjeçar në ditë tësotme.
– Por, siç e sheh, ka gjendjen tejet të rënduar dhe po na bezdis tepër. As nuk flet, as nuk dëgjon, veç t’i hap sytë. Dhjehet nëvete. Sa herë hyjmë, na e shpif.
– Moj budallaqe, a hiç s’mendon se çfarë shembulli i mirëështë për spitalin?! Kjo do të thotë që me ne pacientët mund të rrojnë edhe 200 vjet. Madje ky plakushi është klient, desha të them pacient klasik. Si sot e mbaj mend, kur pata filluar praktikën, ky ka qenë i shtrirë, në mos gabofsha mu në këtë dhomë. Ha ha ha! Nejse, se e zgjatëm, të dalim zonjushë se kemi punë për të bërë.
Teksa dilnin, doktori i qëndronte mbrapa infermieres dhe ia guduliste pjesën anësore të abdomenit, ndërsa ajo vetëm hingirizej si e përdalë.
Plaku Turil pa dhe dëgjoi gjithçka. Ndjeu keqardhje për miqtë e para disa muajve me të cilët kaloi çaste të bukura bisedash në dhomën “purgatori 2”. Por, u kishte zili, për shkak se ishte pikërisht ai që kërkonte vdekjen prej dekadash. Kishte bërëçmos që të ndërronte jetë – të hynte nëpër këtë farë provimi që të gjithë e kalonin. Vdekja për të ishte jeta, ndërsa jeta iluzion i shpifur.
Sa e sa herë kishte tentuar vetëvrasjen, por gjithnjë me mjete helmuese, mbidozë, pastaj i hapte sytë nëpër ambientet e spitalit, më konkretisht në dhomën skëterrë. Madje edhe herën e fundit kishte përpirë s’di sa pilula, por reagimi i shpejtë i komshiut ia zgjati iluzionin e shpifur – jetën.
Plakun Turil nuk e ndihmonin as lutjet e vazhdueshme drejtuar Zotit për t’ia marrë shpirtin, as pilulat, asgjë. Njëherë kishte qëndruar s’di sa orë në ujë të ftohtë, por përveç njëftohjeje dhe pneumonisë, s’kishte marrë gjë tjetër. Për mënyrat e tjera të vetëvrasjes që ishin më të vrazhda nuk ia mbante, frikësohej. Sidoqoftë, të gjitha përpjekjet e vazhdueshme dështonin, ndërsa plaku kishte mbushur 113 vjet, po i bënte 114. Asgjë nuk e shpëtonte nga kjo gjendje e mjerueshme.
Disa ditë pas asaj bisedës që kishte dëgjuar në mes doktorit dhe infermieres, i punoi rradakja dhe ndërtoi një plan në mendje. Plani s’kishte të bënte me arritjen e qëllimit tëkamotshëm – vdekjes, por me nxjerrjen nëpah të vrasjeve që kryenin mantelbardhët “shpëtimtarë”. Sajoi një kërkesë të rreme, kinse i nevojitet të kontaktojë me patjetër një familjar dhe kështu infermierja pa e zgjatur ia zgjat një telefon të spitalit.
Plakun Turil herë herë e lëshonte skleroza dhe i punonte mendja fiks, andaj nëçastin kur mbeti vetëm, kapi telefonin dhe thirri në numrin e policisë së shtetit. Ngriti shqetësimin e tij dhe shpalosi informacionet që dinte, por megjithatë ata dërguan dy persona të cilët e morën në pyetje detajisht plakun e gjorë. Ai i tha të gjitha, prej ditës së parë: gjendjen në dhomën skëterrë, ndërrimin e dhomave si rrjedhojë e vizitës së ministrit, vrasjet e pacientëve të moshuar e kështu me radhë. Ata merrnin shënime, të cilat nga perspektiva e të moshuarit dukej sikur i hodhën në koshin e plehrave që ndodhej menjëherë pas derës së dhomës skëterrë. Megjithatë, ai tha ç’kishte për të thënë dhe ndjeu njëfarë lehtësie.
Të nesërmen hyri infermieria me një letër në dorë dhe stilolaps, i tha me mirësjellje plakut që të nënshkruajë. Ai veproi ashtu, me kënaqësi, duke menduar që letra ka të bëjë me dëshminë e tij ndaj vrasësve mantelbardhë. Por, teksa infermierja tërhoqi letrën, në sy i ranë fjalët “eutanazi pacienti…” të cilat i kuptoi shumë mirë. Nuk bëri zë nga jashtë, por në brendësi iu shkaktua njëpërzierje emocionesh, nuk dinte a të gëzohej, apo të dëshpërohej. Pastaj i frikësuar, mendonte për provimin që e kërkonte me ngulm… Infermierja vendosi injeksionin dhe plaku mbylli sytë përgjithmonë.
Plakut qindvjeçar vdekja nuk i erdhi as nga Zoti, as nga vetëvrasja, as nga sëmundja, por nga dëshira për të nxjerrë në pah llumin e një sistemi të prishur ku jonjerëzorja e pamëshira shkonte zinxhir nga qeverisja e nëpër aparaturat e tjera të shtetit.