Rrushi është rritur mbi tokë për mijëra vjet dhe i ka ardhur në ndihmë njerëzimit jo vetëm për ushqim, por edhe për shëndet. Rrushin e gjejmë në varietete, madhësi dhe ngjyra të ndryshme.
Rrushi i zi në veçanti është ndër më të pasurit me antioksidantë, të cilët e mbrojnë organizmin nga shumë sëmundje të ndryshme.
Përpos antioksidantëve, rrushi i zi është i pasur me fibër, vitamina dhe minerale. Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për 5 arsyet që duhet t’ju nxisin të konsumoni më shumë rrush të zi.
Ndihmon kundër diabetit
Antioksidantët te rrushi i zi përmirësojnë aftësinë e trupit për përdorimin e glukozës dhe ulin nivelin e sheqerit në gjak. Për më tepër, rrushi ka një nivel të ulët glicemie që ndihmon në zbutjen e simptomave të diabetit.
Rrushi i zi i bën mirë zemrës
Antioksidantët te rrushi i zi luftojnë radikalet e lira, të cilat shkaktojnë sëmundjet e zemrës. Antioksidantët te rrushi i zi ndihmojnë në trajtimin e hipertensionit dhe inflamacionit, por edhe përmirësojnë funksionet e enëve të gjakut.
Shëndeti i trurit
Antioksidantët luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trurit, kundër luhatjeve të humorit dhe humbjes së kujtesës.
Shëndeti i syve
Studimet kanë treguar se njerëzit që jetojnë në zonën e Mesdheut janë më pak të rrezikuar nga formimi i perdes së syrit dhe problemet me shikimit. Kjo i atribuohet ushqimit dhe sidomos konsumit të rrushit dhe verës që prodhohet prej tij.
Rrushi i zi për gjumë më të mirë
Ndonëse të kufizuara, studimet tregojnë se rrushi në përgjithësi dhe ai i ziu në veçanti janë burime të shkëlqyera të melatoninës. Ky hormon ndihmon jo vetëm në ardhjen e gjumit, por edhe cilësinë e tij.
Ekspertët thonë se ngrënia e rrushit të zi në mbrëmje përmirëson cilësinë e gjumit. Rrushin e zi mund ta përdorni në sallata frutash, ta kombinoni me lëngje, ta hani me kos ose veçmas për një shëndet më të mirë./AgroWeb.org/ S.M