Zelimkhan Abakarov nuk ia doli të shkonte në gjysmëfinalen e mundjes stil i lirë për kategorinë 57 kilogram në Lojërat e Parisit. Mundësi që garon për flamurin shqiptar, u ndal në çerekfinale.
Aty ku u mund nga indiani Aman Aman, i cili rezultoi një kockë e fortë për mundësin çeçen me pasaportë shqiptare. Me indianin që arriti një avantazh të shpejtë duke shkuar 3-0. Teksa më pas bëri një kapje që i siguroi shkëputjen totale duke e çuar rezultatin në 11-0.
I gjendur në këtë situatë Abakarov duhej të tentonte gjithçka për gjithçka, pasi mund të shpëtonte vetëm duke e vënë kundërshtarin me shpatulla në tapet. Diçka që nuk arriti ta realizonte me Aman që rezistoi dhe mori edhe një pikë. Duke e fituar krejt takimin me shifrat 12-0.
Më herët, Abakarov ia kishte dalë të kualifikohej mes 8 më të mirëve, duke fituar me përmbysje përballë Iuna Fafe Diamantino nga Guinnea Bissau. Me rezultatin 7-6.
Duke qenë se kishte marrë dypikëshin e fundit, konsiderohej në avantazh duke e vënë në presion Iuna Fafe. Të cilit i duhej të luftonte për të kthyer ndeshjen në krahun e tij. Por humbi dhe një pikë dhe krejt takimin me rezultatin 6-7.
Në favor të Abakarov, i cili për fat të keq nuk mund të përsëriste të njëjtin sukses edhe në duelin çerekfinal./ D.C