Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu priti sportistët dhe trajnerët e ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ministrja shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për rezultatin historik të dy mundësve Chermen Valiev dhe Islam Duadev, të cilët i siguruan Shqipërisë dy medalje të bronzta.
Ministrja theksoi se medalistët dhe trajnerët e tyre do të mbështeten me shpërblime ndërsa shtoi se shpreson që këto dy medalje të jenë një frymëzim dhe shembull për të rinjtë e vendit.
“E dimë se cdo fitore, për sado mund personal, është fitore e një ekipi, dhe sigurisht që do të doja që t’ju shprehja mirënjohje të gjithëve si ekip kombëtar. Dua të falenderoj posaçërisht ju djemtë tanë, dy medalistët tanë që na keni bërë krenare, kemi përjetuar shumë emocione. Kemi qenë të gjithë aty me mund dhe zemër. Faleminderit për arritjet tuaja dhe për faktin që keni ngritur lart flamurin e Shqipërisë. Dua t’iu them se qeveria shqiptare është e angazhuar për mbështetjen e sportistëve në shumë drejtime, për sa i përket përgatitjes dhe mbështetjes nëpërmjet infrastrukturës sportive.
Me buxhetin e vitit 2024, kemi mundësuar rritjen e buxhetit për 8 federatat për të mundësuar parapërgatitjen për lojërat olimpike. Sistemi i shpërblimeve mundëson edhe shpërblimet e dedikuara, për medalistët tanë. Do të kenë mbështetje specifike nga qeveria shqiptare dhe për tre trajnerët e tyre. Mbështetja për medalistët në të gjithë kampionatet që marrin pjesë është e dedikuar edhe për sportistin dhe trajnerin. Shpresojmë që këto dy medalje të jenë shembull dhe model frymëzimi për të rinjtë tanë.”, theksoi Manastirliu./kb