Bashkia e Himarës mbetet “zyrtarisht pa kryetar”. KAS vendosi që të hapë kutitë e materialeve zgjedhore pas kërkesës së opozitës e cila kërkon të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në Himarë. Edhe pse kandidati i PS-së Vangjel Tavo, fitoi me 1477 vota diferencë ndaj rivalit opozitar, vijon beteja ligjore për mospranimin e rezultatit.
Institucioni i KAS, (Momisioni I Ankesave dhe Sanksioneve) ka vendosur dje hapjen e kutive të materiale zgjedhore të të gjithë qendrave të votimit të Bashkisë Himarë. Ky vendim erdhi pas kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” poasi sipas tyre zgjedhjet nuk mund të quhen të rregullta pasi nuk u lejuan të votojnë shumë qytetarë që u kishte skaduar karta e identitetit. Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo fitoi me 1477 vota më shumë kundrejt Petro Gjikurisë kandidat I OMONIA që mbështetej nga opozita. Pavarësisht diferencës së thellë nga zgjedhjet e mbajtura më 4 gusht, sërish opozita po kërkon që të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për të kundërshtuar procesin. Me shpresën se do të gjejnë prova të reja që faktojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 4 gushtit, opozita ia doli të bindë KAS për hapjen e kutive të votimit të Himarës. Opozita kërkon të vërtetojë nga materialet zgjedhore që 560 qytetarë shkuan në qendrat e votimit, por nuk votuan, për shkak se kishin një ID të skaduar, ndërsa 260 të tjerë nuk u identifikuan nga pajisja, pasi karta e tyre ishte rinovuar së fundmi. “560 zgjedhës që nuk janë lejuar të votojnë për shkak se kishin id të skaduara, nga mbi 6000 që nuk kishin të drejtën e votës. Shifra mund të ishte edhe më e madhe e qytetarëve që mund të kishin votuar nëse do kishte një udhëzim që t’I lejonte. 260 zgjedhës të tjerë kanë patur karta të rinovuara ditët e fundit, për këto kërkojmë marrjen e provës nga kutitë e materialeve zgjedhore”, tha Franc Nuri. Bashkë me këto pretendime përfaqësuesit e opozitës pretenduan se disa qytetarë kanë votuar, edhe pse me një ID të skaduar. Por për këtë, nuk dhanë prova. “Kemi disa informacione që mund të kenë votuar dhe me kartë të skaduar dhe dje pamë dhe raste kur ka pasur ID të vlefshme dhe nuk ka votuar”, tha Nuri. “Ky informacion a është i kuantifikuar, pra a dihet sa persona me ID të skaduar kanë votuar?”, e pyeti Rusmajli. “Nuk e kam infon e plotë. Por nëse provohet, gjykoj që jemi përballë një shkelje të rëndë”, tha Nuri. “Nëse mungojnë provat, nuk ka asnjë vlerë dhe janë diskutime akademike”, u shpreh Rusmajli. Këto shifra të marra së bashku, për opozitën janë arsye e mjaftueshme për të përsëritur zgjedhjet në Himarë, pasi përafrohen me diferencën e votave mes Tavos fitues dhe humbësit të zgjedhjeve Petro Gjikurisë. Pasi opozita të shqyrtojë të dhënat e dala nga kutitë e votimit, KAS paralajmëroi se nuk do të ketë një shans të dytë për të, dhe se të hënën do të shpallë vendimin final nëse do të lërë në fuqi fitoren me 1477 vota të Vangjel Tavos apo nëse do të çojë drejt përsëritjes së zgjedhjeve në Himarë, sikurse përfaqësuesit e kandidatit humbës Petro Gjikurisë kërkojnë. Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u mbajtën pas një betejë të madhe përplasjesh politike, arrestimesh dhe dorëheqjesh në krye të kësaj bashkie e cila është bërë e “lakmueshme” pikërisht për shkak të zhvillimit në vijën e saj bregdetare. Gjithçka nisi më 12 maj të vitit të kaluar kur policia arrestoi Fredi Belerin, kandidatin e opozitës. Por dy ditë pas arrestimit, edhe pse në qeli, Beleri fitoi Bashkinë Himarë ndaj rivalit socialist Jorgo Goro. Ndonëse u kërkua vazhdimisht nga Beleri dhe mbrojtja e tij që të merrte leje që të betohej, kjo nuk iu bë e mundur, duke ia refuzuar të gjirtha kërkesat. Në fund Beletri u dënua me dy vite burg për akuzën e blerjes së tetë votave, por ndërsa ishte në qeli Beleri u zgjodh Deputet i Parlamentit Europian si përfaqësues i greqisë. Megjithatë Himara kaloi në tjera kalvare pasi Jorgo Goro, i cili edhe pse humbës vijonte të drejtonte bashkinë, u arrestua me urdhër të SPAK për akuzën e tjetërsimit të pronave dhe falsifikimit të dokumentave. Pas një viti përplasjesh kreu i shtetit dekretoi datën e zgjedhjeve të pjeshme në Hirarë ku përballë u vendosën Vangjel Tavo i PS-së dhe Petro Gjikuria i koalicionit opozitar. Edhe pse humbi me një defirencë të madhe votash, Gjikuria vijon të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve duke pretenduar parregullsi. Gjithsesi edhe pse çështja po merret në shqyrtim nga KAS nuk pritet vendim që mund të shkojë deri në përsëritjen e zgjedhjeve.