Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21,460 banorë, duke shënuar një rritje me 18.2%, krahasuar me një vit më parë. Vitet e fundit Shqipëria padyshim po përjeton zhvillime të rëndësishme sa i përket turizmit, por të huajt nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në periudhat sezonale pasi një pjesë e tyre kërkojnë të jetojnë në vendin tonë. Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2023 ka shënuar rekord të numrit të të huajve me leje qëndrimi.
Nga ana tjetër, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri vetëm në vitin 2023 ishte 12,430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22.7%, krahasuar me vitin 2022. Por nga cilat vende u paraqit numri më i lartë i kërkesave për leje në vitin që lamë pas? Sipas të dhënave, aplikimet sipas vendit të origjinës nga Kosova dhe Italia përbëjnë 28.5% të aplikimeve gjithsej në 2023. Pas Kosovës dhe Italisë ndjekin Turqia, Bangladeshi dhe Egjipti.
“Scan Inel” ndër të tjera ka analizuar edhe shpërndarjen e aplikimeve për leje qëndrimi sipas qëllimit. Në vitin 2023 të huajt me leje qëndrimi për arsye punësimi zënë 48.3% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22.2%, arsyet të tjera me 13.3%, arsyet për qëllime humanitare me 12.4% dhe arsyet për studime me 3.7%.
Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim me një peshë prej 49%, vihet re edhe një dominim i arsyes për studim me 17.7%. Të huajt me origjinë nga Kosova kryesohen nga arsyet për bashkim familjar me 43.5%. Të huajt me origjinë nga Turqia kryesohen nga arsyet për punësim me 71.1% dhe arsyet për bashkim familjar me 25.8%.
Por si ka qenë trendi i të huajve të parregullt në vendin tonë? Të huajt e parregullt të evidentuar në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm, rezultojnë 6,630 persona në 2023, duke shënuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Viti 2020 regjistron numrin më të lartë të personave të parregullt në tetë vitet e fundit./kb