Kompania “Kurum” e cila dyshohet se mund të jetë përfshirë në transportin e rreth 800 ton mbetjeve të rrezikshme në Tailandë dhe Kinë lajmëroi dy ditë më parë se ka mbyllur uzinën e përpunimit të hekurit në Elbasan, duke lënë të “papunë” deri në një njoftim të dytë 500 punëtorë. Për këtë çështje reagoi dje ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti i PS-së Erion Braçe. Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shkruan se kjo kompani nuk duhet toleruar më dhe nuk mund të lejohet të shantazhojë qeverinë me pengje njerëzore. Ai thekson se kjo kompani ka përfituar shumë, me pa të drejtë, deri në kufijtë e monopolit, por kjo duhet të marrë fund. “Kurum nuk mund të marrë peng punëtoret! Kurum nuk mund të shantazhojë edhe një herë qeverinë-me PENGJE NJERËZORE! Kurum duhet ti nënshtrohet ligjit, t’i përgjigjet autoriteteve sipas ligjit, të çlirohet apo mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin! Asgjë më pak e asgjë më shumë! Punëtorët nuk hyjnë në këtë mes. Madje me punëtoret Kurum po bën krim edhe ky duhet hetuar”-shkruan Braçë. ai gjithashtu ka zbuluar dhe pranuar se edhe më parë Kurum ka kërcënuar me “shpallje falimenti” dhe qeveria u tërhoq, duke i ofruar lehtësira, të pamerituara sipas tij. “E ka bere edhe një herë më parë këtë shantazh kur shpalli falimentin për ti ikur hetimeve për evazion fiskal, jo më! Kurrë më! Nuk mundet një kompani të marre peng punëtoret e të shantazhojë qeverinë me ta! Nuk duhet toleruar! Po, ka qenë e privilegjuar e ka përfituar në mënyrë klienteliste-për mua të padrejtë, në energji, porte e metalurgji-deri në kufijtë e monopolit, por ajo kohë ka mbaruar! Në anë tjetër, qeveria ka marrë vendimin e duhur për të mos pranuar këtu, mbetjet e dyshuara si te rrezikshme! Qeveria i ka dhënë prioritet hetimeve dhe analizave dhe kjo është rruga! Përgjigje për ata që siç me një lodër kineze që nuk bënë analizë biologjike e kimike të produktit damkosën frutat e perimet, po njësoj kanë shpallur mbetje të rrezikshme duke shërbyer vetë si laborator, përgjigje dhe për gjithë aradhen e politiqenëve që deri dje ulërinin për importin e mbetjeve që nuk ekzistonte, sot ulërijnë për eksportin e mbetjeve që duhet provuar në janë të rrezikshme apo jo!”-shkruan Braçe. Aktualisht çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit. Dyshohet se Kompania Kurum, ka kontakltuar një kompani nga Kosova për eksportin e mbetjeve, që në deklarim në Port shkruhej si “mbetje hekuri”, mbetje të cilat janë në listën e mineraleve të parrezikshme që përpunohen. megjithatë dyshohet se brenda kësaj ngarkese ka lëndë të rrezikshme, që janë mbetje të filtrave të furrave të shkrirjes.
Hetimet
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera të cilat kanë lidhje me transportimin me 2 anije të 816 ton të dyshuara me mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i kompanisë private ‘Kurum International’ që dyshohet se ka prodhuar edhe mbetjet toksike që më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’ që ka organizuar transportin në drejtim të Tajlandës. Gjithashtu janë sekuestruar edhe dokumentet e kompanisë “Sokolaj” shpk si eksportuese të këtyre mbetjeve, e cila merret me import-eksport mineralesh, që rezulton në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj. Janë sekuestruar edhe dokumentet që gjenden në doganën e Durrësit lidhur me eksportin e ngarkesës. Gjithashtu prokuroria e Durrësit urdhëroi gjatë javës sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Ministrisë së Mjedisit. Në doganë mbetjet janë regjistruar si ‘oksid hekuri’ eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm dhe jo pluhur i furrave të çelikut që është lëndë shumë e rrezikshme dhe u konstatua më vonë nga autoritetet ndërkombëtare. Pas administrimit të këtyre dokumenteve, prokuroria do të nisë edhe marrjen në pyetje të personave që kanë pasur lidhje me këtë ngarkesë apo me dokumente të përpunimit të materialeve. Ngarkesa e bllokuar në Tailandë po kthehet mbrapsht dhe anijet janë ende është në udhëtim. Bëhet e ditur se me të mbërritur në portin e Durrësit, do të merren kampionë për ti analizuar e për të parë nëse lënda është toksike apo jo. Ndërkohë ministria e Infrastrukturës dhe e Mjedisit në një deklaratë të përbashkët kanë bërë të qartë se nuk do ti pranojnë pa dalë analizat. “Nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”. Por pavarësisht qëndrimit të institucioneve shtetërore, nëse vërtetohet se në ato ngarkesa ka edhe lëndë të rrezikshme, atëherë Shqipëria është e detyruar që ti rikthejë, duke e kthyer në një çështje shumë serioze pasi vendi ynë nuk ka teknologji për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme.
Meta: Hetim parlamentar për mbetjet
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për anijet me 816 mbetje toksike. Në një deklaratë për mediat, Meta e quajti një skandal, ndërsa theksoi se do të kërkojnë hetim parlamentar. Meta u shpreh se deputetët e PL do të bashkohen me ligjvënësit e tjerë të opozitës dhe do kërkojnë një hetim parlamentar mbi këtë çështje, sipas të cilit dëmton edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik. Meta u pyet se pas skandalit me mbetjet KURUM ka mbyllur uzinat, duke lënë të papunë rreth 500 punëtorë. Nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e qeverisë shqiptare, ndoshta dhe për të negociuar me kompaninë, në lidhje me këtë mbyllje të befasishme. “Është shumë e qartë, se kemi të bëjmë me një veprimtari mafioze, përgjegjësinë për të cilën e mban Edi Rama. Sepse, ai ka kapur të gjitha institucionet e shtetit. Nuk ka SHISH. të pavarur, SPAK. të pavarur dihet që nuk ka, e nuk mund të ketë me Edi Ramën. Nuk ka polici të pavarur, kjo dihet botërisht. Nuk ka asnjë agjensi shtetërore të pavarur. Të thuash pastaj që ka dogana të pavarura, apo institucione të tjera. Apo porti të jetë një institucion serioz, me integritet të lartë. Diheti vetmi suksese I portit të Durrësit, është rritur 60 herë importi I bananave, apo jo?! Kjo është nga Kolumbia. Ky është suksesi më I madhe. Që kështu dhe këtë import-eksport të mbetjeve toksike, padyshim që janë në nivelet më të larta. Ky është një skandal, që siç e kam thënë”-u shpreh Meta. madje ai theksoi se do u kërkojë deputetëve të Partisë së Lirisë dhe të opozitës që të kërkojnë hetim parlamentar për këtë çështje. “Ne kërkojmë hetim parlamentar, dhe do t’i kërkojmë deputetëve tanë për tu bashkuar me deputetët e gjithë opozitës për të bërë një hetim të thellë, dhe për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet prestigjoze ndërkombëtare, që kanë dhënë alarmin për këtë krim të jashtëzakonshmë, që dëmton imazhin e Shqipërisë në botë 1. Dhe e dyta, që dëmton shumë rëndë imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik i besueshëm”-tha Meta.