Nga: Anila Kadija
Çdo vit muaji gusht për skocezët është i veçantë. Periudha e vitit që mbledh artistët nëpër salla koncertesh e teatrosh por jo vetëm. Ata i gjen nëpër rrugë, dikush me një piano siç ishte rasti ku unë ndala dhe admirova pjesë nga albumi IN BREATH me pianistin Luke Gajdus në Royal Mile. Vend plot histori dhe qoshka ku mund të bësh fotografi të veçanta panoramike.

Aty gjeni statujën e filozofit David Hume ku vizitorët kalojnë të vëmendshëm pa e humbur rastin për një foto duke i prekur gishtin e madh të këmbës. Më riktheu tek statuja e Xhuljetës në Verona pamja fringo e shkëlqyer e atij gishti që lustrohet çdo ditë nga turistët. Është e pamundur të mos kalosh pasi aty gjen një libër historik, amalgam i së vjetrës me të renë, të trashëgimisë së Edinburgh. Më gusht në çdo cep ke të tjerë artistë që improvizonin me aq pasion muzikën e tyre nëpër rrugët e qytetit, akrobatë apo oratorë, poetë apo aktorë dhe më të veçantët që janë gjithmonë djemtë skocezë me fundet e tyre me pala e kuadrata, flokët xhinxher dhe gajden popullore.

Kam ecur edhe më parë për rrugët e këtij qyteti me gurë të errët i cili nën rrezet e diellit duket si një tablo e vjetër ku peneli i mesjetës i ka dhënë ngjyra të pavdekshme ndër shekuj ndërsa nën hijen e reve merr formën misterioze si t’i ketë lindur vërtetë të gjitha magjitë e Harry Potter nëpër gurët e tij.

Po e bëj ndalesën e parë tek personazhi aq i dashur për fëmijët e viteve 1997-2007 por që ende e mbajnë të preferuar edhe sot aventurat e atij libri që më vonë u kthye edhe në film. Në rrugën Victoria Street dhe West Bow gjeni muzeumin e Harry Potter, kafenenë The elephant house magical cafe dhe portën Nr.1 e dyqanit me sende e veshje të personazheve të sagës. Por përmes restorantesh e pub- esh të asaj rrugice plot ngjyra një qoshe blu plot lule, me kuzhinë tipike, e quajtur Maison Bleue është vërtet një suvenir shije.
Ndërsa pas zjarrit që ra në 2022 The elephant house, kafeneja ku lindi dorëshkrimi, është mbyllur.

Fansat e kësaj historie aventureske me mistere nuk e humbasin as vizitën në varrezat e vjetra ku ndodhet më i famshmi i Greyfriars Kirkyard Voldemort. Në të vërtetë ky njeri ka vdekur në 1806 dhe kurrë nuk do t’i kishte shkuar mëndja që profili i tij, më shumë se një shekull më pas, do të kish frymëzuar shkrimtaren J.K. Rowling ta vendoste si personazhin më të keq “ ai që nuk duhet t’i thuhet emri” në një histori të trilluar fantazie dhe misteresh aq të suksesshme.
Afër me këtë vend ndodhet edhe statuja prej bronzi e qenit besnik Greyfriars Bobby fëmijët vijnë aty pasi nuk është një legjendë por histori e vërtetë. Parku i madh poshtë kodrës e cila është krijuar nga shpërthim vullkani mban madhështinë e kështjellës skoceze. Kudo ka muzikë dhe hare në muajin gusht në këtë park. Ndërsa ngjyra e errët e Scott Monument jep kontrast me blerimin e harlisur përreth. Për lexuesin ky monument është më i madhi në botë që iu kushtua një shkrimtari . Në rastin në fjalë i është kushtuar shkrimtarit më të famshëm skocez Sir Walter Scott dhe gjendet ndërmjet Rruga e Princesësh dhe Parku i Princesësh.

Një vend i ngrohtë tipik dhe rinor, ku serviret torta me karotë, çaj molle me kanellë e plot specialitete vendase e gjeni tek OQO në Princes Street. Në mëngjes kjo rrugë i ngjason një vendi të heshtur për t’u gjallëruar përgjatë ditës vetëm nga tramvaje dhe lokale anash rrugës. Vendasit nuk e preferojnë të ecin me makinë aty.
Këtu kishat gotike kanë dyer blu sikur qiellin e përcjellin edhe tek këmbët e besimtarëve si të jetë porta e hyjnive hapur kudo.
Calton Hill me panoramën marramendëse mbi qytet është një shëtitje që të kalit këmbët dhe mendjen sepse aty gjen po ashtu shumë objekte kulture dhe arkitekture.

Qytet me dy personalitete, Edinburgh. Për ta njohur mirë duhet një vizitë hap pas hapi që një guidë të të përshkruajnë me saktësi çdo gjë. Ka shumë kisha dhe varreza ky qytet, më kot nuk u zhvillua edhe “tregëtia” e të vdekurve. Duket sa makabër po aq interesant ky fakt i kohërave kur mjekët kirurgë të këtij qyteti u “apasionuan” mbi autopsinë. Me pak fjalë, flasim për vitet kur mjekësia kishte fillimet e saj. Kjo bëhej e mundur vetëm nëpërmjet kufomave. “Ndaj kujdes kur të jeni rrugëve të qytetit vonë, është një histori që mund të vazhdojë..” nënvizon me shaka guida turistike tek udhëton nëpër qytet me autobusin e tyre. Pas trupave të kafshëve filluan të përdornin ato të njerëzve. Ishte disi e frikshme të ishe “turist” udhëtar jabanxhi në ato kohëra nga këto anë.

Dy vëllezër skocez të cilët endeshin pijetoreve fokusonin njerëzit e ardhur nga larg, ju ofronin atyre të pinin për ti pasur viktima rehat dhe më vonë mjet fitimi nga shitja e tyre në tregun e kirurgjisë dhe autopsisë. Vdekja dhe jeta bashkudhëtare mendova tek u njoha me këtë fakt. Gjithashtu anestezia e parë u prodhua po në Edinburgh nga Sir James Young Simpson.

Vetëm të shkelësh atë truall të shpaloset tavolina e rumbullakët me Lancelot. Historia e princeshës së pa fat e cila mbeti jetime kur ajo ishte vetëm gjashtë ditëshe, Mary , mbretëresha e Skocisë, me shpirt të mirë. Tre martesat e saj, të cilat i kondicionua jetën gjithmonë, që e çuan deri në ekzekutim kur ishte ende e re. Ajo, është kudo në këtë vend verior, ka mbetur në zemrën e popullit skocez me po atë madhështi karakteri sa vet forca e këtij qyteti gri, me re, me erë të ftohtë, me oqean të paanë, me butësi sysh njerëzish të mirë.

Përshtypje të bën arkitektura e ndërtesës ku punon Parlamenti skocez, një pallat me shumë dritare, modern por edhe shumë ndryshe nga çdo ndërtesë parlamenti që kam parë. Nëse askush nuk të thotë gjë, ti mund ti kalosh pranë kësaj ndërtese, pa e kuptuar rëndësinë politike dhe shoqërore e cila ajo ka pasi të jep përshtypjen e një rezidencë banimi. Ndoshta skocezët kanë filluar t’i largohen zymtësisë që karakterizon ngjyrës tradicionale të vet qytetit dhe kanë fokusim më të hapur popullor edhe në ndërtimin urbanistike bashkëkohore.
Kalimi mbi urën e kuqe Queensferry të hap një panoramë natyre të virgjër buzë oqeanit. Poshtë këmbëve të kësaj ure janë disa lokale të këndshme plot jetë province.

Aty ndodhet edhe Akuariumi madhështor i qytetit.
E pëlqeva më shumë se çdo herë tjetër, nuk ishte hera e parë kjo që e vizitova, pasi ky vend i ngjason njeriut enigmatik që vuajtja i ka skalitur një mburojë vetes. Nuk e bënë mik kollaj. Atë e njeh më mirë sa më shumë të rrish me të. Ashtu sikurse njeh më mirë tingujt e gajdes së tyre . Kodra vullkanike i ngjan një luani të shtrirë, ndoshta i lodhur, ndoshta në paqe me retë, erën, qiellin, të ftohtin edhe diellin e veriut. Edinburgh ka strukturë taracash.

Çdo nivel njerëzor dhe kulturor e gjen veten. Duhet ta vizitosh nga baza aty ku gëlon jeta e natës e deri në majë ku gjen mistikën në Katedralen e St Giles, madhështinë në Kështjellën e Edinburgh dhe fantazi Potter. S.B