Sllovenia krah Shqipërisë “Viti 2030 ta gjejë Shqipërinë në BE”
Ministrja e Jashme e Sllovenisë, njëherësh numri dy i Qeverisë tha se Sllovenia do të bëjë të pamundurën për të parë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Në një takim me homologun e saj Igli Hasani, ajo tha se Sllovenia do të ketë konsullatë në Durrës.
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon ka përforcuar edhe njëherë qëndrimin e vendit të saj se është krah Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Mikja e Shqipërisë tha se Sllovenia mbetet një përkrahëse e palëkundur e Shqipërinë. “Sllovenia është mbështetëse e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor e do të donte ta shikonte Shqipërinë si anëtare e BE-së. Sllovenia është përkrahëse e hapjes së negociatave dhe gjithmonë ka shprehur vlerësimin e saj në arritjen e të gjithë kritereve. Mesazhi im sot është që shpresoj që Shqipëria të ketë mundësinë për të hapur grupin eparë sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj që në shtator të ketë përgjigje positive për parafinancimin e të gjitha reformave që janë të nevojshme”, theksoi ajo. Ministri i Jashtëm nga ana e tij tha se Sllovenia do të mbetet një model. “Sllovenia ka qenë dhe mbetet një model për ne, jo vetëm si vendi në rajon që u integrua më shpejt nga të tjerët në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës. Gjatë takimit diskutuam për një sërë çështjesh të rëndësishme, dy dhe shumëpalëshe, por një vend të veçantë zuri rrugëtimi ynë drejt Europës së bashkuar. Përgjatë gjithë këtij harku kohor, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme”, tha ministri i Jashtëm Igli Hasani. Ai tha se Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në Drejtësi, ku vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, janë hapa pozitivë, ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është një faktor thelbësor. “Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shënuar një përparim të dukshëm në këtë drejtim, ku nuk mungojnë rastet e profileve të lartë dhe të një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikase”, tha ai. Fajon e quan nevojë strategjike integrimin e Shqipërisë në BE dhe shpreson që kjo të ndodhë në 2030. “Sigurova zotin Hasani se Shqipëria do të jetë një mbështetëse e sigurtë e bindur për integrimin e Shqipërisë në BE. Është nevojë stretegjike për të pasur vendin tuaj në BE. Shpresoj që BE të jetë po kaq gati për tju pritur maksimumi në 2030”, tha Fajon. Ministrja e Jashtme e Sllovenisë dhe zëvendëskryeministrja përcolli dhe lajmin se vitin që vjen, Sllovenia do të ketë konsullate në Durrës.