Gastriti është inflamacion i mukozës së stomakut, pra i shtresës së brendshme që vesh stomakun. Gastriti është një patologji shumë e përhapur dhe ekzistojnë një sërë faktorësh që çojnë në shfaqjen e tij. Për shumë persona gastriti mund të mos jetë një gjendje edhe aq serioze kjo për faktin se në momentin e marrjes së trajtimit të duhur simptomat e gastritit përmirësohen ndjeshëm por në rast se nuk ka përmirësim kjo patologji mund të zgjasë edhe me vite. Ekspertët e Shëndetësisë thonë se shumica e personave me gastrit mund të mos shfaqin asnjë lloj shenje apo simptome, por në rastet kur shoqërohet me simptoma ato përfshijnë: mostretje të ushqimit, dhimbje dhe djegie të stomakut, të përziera dhe të vjella, ndjesi tejngopje dhe fryrje pas konsumit të vakteve. Në raste të caktuara, me përkeqësimin e situatës mund të kemi edhe simptoma të tjera të shtuara si dhimbje, gjakrrjedhje apo edhe ulçer të stomakut. Simptomat e gastritit mund të fillojnë në mënyrë të papritur dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me gastrit akut ose simptomat shfaqen ngadalë në kohë dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me gastrit kronik.
Por si trajtohet gastriti?
Mjekët thonë se trajtimi i gastritit synon reduktimin e aciditetit në stomak që çon edhe në reduktimin deri eliminimin e plotë të simptomave. Në varësi nga shkaktari i gastritit varion edhe trajtimi i tij. Pra, në rastet kur shkak i gastritit është bakteri Helicobacter Pylori, atëherë trajtimi synon në çrrënjosjen e këtij bakteri, ndërsa në rastet kur shkaktar mund të jenë medikamentet antiinflamatore josteroid atëherë procedohet me ndalimin e marrjes së tyre nga ana e pacientit, gjë që në të shumtën e rasteve ka rezultuar efektive. Gjithsesi, në çfarëdolloj rasti rekomandohet që të drejtoheni për konsultë te mjeku specialist gastroenterolog i cili është përgjegjës si për diagnostikimin ashtu edhe për përcaktimin e mënyrës adekuate të trajtimit të gastritit. Për të lehtësuar simptomat mjeku specialist mund t’ju rekomandojë marrjen e antiacideve, mjekim ky që synon në neutralizimin e aciditetit në stomak dhe që lehtëson dhimbjen. Ndërkohë, ju mund të bëni edhe diçka tjetër. Mund të konsumoni shpesh dhe porcione të vogla, evitoni ushqime që irritojnë stomakun si ato djegëse, të skuqura, reduktoni sasinë e alkoolit ose eliminojeni atë totalisht, mundohuni të menaxhoni stresin. Gastriti kronik shton rrezikun për komplikacione mjekësore të tipit: Ulcer në stomak, krijimin e polipeve në stomak dhe në raste të caktuara mund të çojë deri edhe në kancer të stomakut.
Ulçerat
Ulçerat peptike janë defekte ose dëmtime të mukozës së Duodenit (pjesa fillestare e zorrës së hollë) ose të Stomakut. Ato zhvillohen zakonisht kur mukoza nuk është më në gjëndjë të mbrohet nga dëmtimet agresive që shkakton acidi i stomakut. Ulçerat e duodenit janë më të shpeshta se ato të stomakut. Ulçerat e Ezofagut janë dhe me të rralla krahasuar me ato të duodenit e stomakut.
Disa nga shkaqet kryesore të ulçerave janë:
-Helikobakter Pilori.
-Holluesit e gjakut si Aspirina dhe medikamente që përdoren kryesisht si qetësues të dhimbjes (Ibuprofen, Naproksen, Voltaren etj).
-Stresi psikologjik dhe situata të veçanta të stresit si operacionet, traumat, djegiet etj.
-Gastriti kronik i patrajtuar.
-Prodhimi i lartë i acidit të stomakut.
-Konsumi i tepruar i ushqimeve të skuqura, i atyre “fast-food”, dhe i atyre me shumë yndyrë.
-Konsumimi i duhanit, kafes dhe alkoolit janë faktorë që rëndojnë ecurinë e sëmundjes.
Ankesat:
-Dhimbje në mesin e pjesës së sipërme të barkut – në lukth – e lidhur ose jo me marrjen e ushqimit në varësi të llojit të ulçerës.
-Dhimbje periodike – në sezone apo periudha të caktuara.
-Dhimbje ritmike – në orare të caktuara të ditës apo natës.
-Urth.
-Intolerancë ndaj disa lloj ushqimesh.
-Ndjesi e të vjellit.
-Të vjella (në rast ndërlikimesh edhe me gjak).
-Rënie në peshë.
Diagnoza:
-Gastroskopia me ose pa biopsi – ekzaminimi më i saktë për të parë nga afër ezofagun, stomakun, dhe duodenin.
-Ekografia abdominal – për të përjashtuar patologji të organeve përreth stomakut të cilat mund të kenë ankesa të njëjta.
-Analiza laboratorike:
-Gjak komplet, Ferritinemi – për të parë nëse ka anemi.
-Antigeni Fekal për Helikobakter Pilori.
-Feçe Parazit.
Trajtimi:
-Me medikamente që frenojnë (PPI) ose reduktojnë (anti H2) prodhimin e acidit të stomakut.
-Me medikamente që neutralizojnë lëngjet e duodenit, të cilat refluktojnë/kthehen në stomak.
-Me medikamente prokinetike për të rregulluar lëvizshmërinë e pjesës së sipërme të tubit tretës.
-Me medikamente antispastike nëse dhimbjet janë spastike.
-Me antibiotikë nëse është vërtetuar prania e Helikobakter Pilorit.
Kujdes!!! Në raste neglizhence në trajtim nga ana e pacientit, sëmundja ulçeroze shkon drejt komplikacioneve të tilla si:
-Hemorragjia e shoqëruar në disa raste me anemi të rëndë.
-Stenoza (ngushtica, pengesa).
-Perforacioni (çarja, plasaritja) e “murit” të stomakut ose duodenit. Probleme të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
-Trajtimi i kujdesshëm dhe në kohë i ulçerës mund t’i parandalojë këto komplikacione. Në asnjë rast nuk duhet neglizhuar evitimi i stresit, ushqyerja e shëndetshme, evitimi i medikamenteve kundra dhimbjes të përmendura më lart.
Kujdes!!! Të vjellat me gjak të kuq të pastër, ato të ngjashme në përbërje me llumin e kafesë dhe/ose jashtëqitja me ngjyrë të zezë janë indikacione për një komplikacion serioz të ulçerës dhe paraqitja tek mjeku gastrolog duhet bërë në mënyrë urgjente.
Parandalimi:
-Ushqimi në mënyrë të kujdeshme dhe joabuzive është thelbësor në parandalimin e të gjitha sëmundjeve të stomakut.
-Konsultat me mjekun gastrolog që në momentet e para të ankesave është gjithashtu thelbësore për të evituar përshkallëzimin e sëmundjeve të stomakut. Personat që kanë histori familjare me të sëmurë ulçeroz duhet të jenë akoma më të kujdesshëm në këtë pikë.
-Marrja pa kriter e medikamentve që përdoren për hollimin e gjakut dhe qetësuesëve të dhimbjes, mund të rrisë rrezikun e prekjes nga sëmundjet e stomakut.
-Stresi është gjithashtu faktor madhor rreziku për të gjitha sëmundjet e tubit tretës, duke përfshirë këtu edhe sëmundjet ulçeroze.