Çdo vit EIU (Economist Intelligence Unit), rendit një grup të madh qytetesh globale, për nga cilësia e jetesës së tyre. Renditja e këtij viti ka parë mjaft ndryshime. Por, maja e indeksit mbetet e dominuar nga kontinenti europian, që kombinon më së miri stabilitetin me një cilësi të lartë të kulturës dhe mjedisit, arsimit, infrastrukturës dhe kujdesit shëndetësor, të gjithë këta elementë, që autorët e indeksit synojnë t’i masin objektivisht. Vjena, Kopenhagen dhe Zyrihu marrin medaljen e arit, argjendit dhe bronzit në indeksin global, si vitin e kaluar. Këto vende janë të pasura, demokratike, të bukura, të kulturuara, të gjelbra dhe të shëtitshme. Qytetarët e tyre janë përkatësisht të shëndetshëm, të arsimuar dhe të lumtur. Vende të tilla kanë gjithashtu politikë, që mund të quhet ‘e mërzitshme’, por që indeksi i EUI e njeh si “të qëndrueshme” – një gjë e mirë për një jetë të qetë. Kjo mund të ilustrohet në kontrast me lëvizjet poshtë renditjes së disa qyteteve europiane. Kur ato ndahen me shumë pak pikë, ndryshimet e vogla në rezultate, përkthehen në lëvizje të mëdha në renditje. Pra, qytetet gjermane (të cilat panë protesta të ekstremit të djathtë), Dublini (trazira të mëdha në nëntor) dhe Barcelona (krimi i rrugës) të gjitha pësuan rënie të vogla, në matësit e stabilitetit, që përkthehen në rënie më të mëdha në renditje. Përmirësimet e ardhshme mund t’i bëjnë ato të rriten përsëri po aq shpejt. Duke lëvizur në drejtimin tjetër, një numër qytetesh të Europës Lindore kanë qenë ndër ‘alpinistët’, jo vetëm të Europës, por edhe në botë. Kjo është kryesisht për shkak të përmirësimeve në shërbimet sociale dhe infrastrukturën, nga të cilat kanë përfituar veçanërisht Beogradi, Bukureshti, Budapesti dhe Sofja. Përmirësimet janë në gjëra, të tilla si investimet në transport, raporti mjek-pacient dhe regjistrimet në shkolla. Edhe pse relativisht të ulëta në renditjen europiane, ato janë konkurruese me qytetet kryesore amerikane. Budapesti, për shembull, ndodhet midis Pittsburgh dhe Seattle në tabelën globale. Suksesi relativ nuk është gjithçka. Nëse vendet e tjera u afrohen niveleve europiane të cilësisë së jetës, kjo mund të kërcënojë vendet e qyteteve europiane lart në tabelë. Por, kjo do të ishte gjë e mirë për botën. / Economist
Tregu i fondeve të investimit u rrit 23% për gjysmën e parë të vitit
Tregu i fondeve të investimit ka vazhduar zgjerimin në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në 53.2 miliardë lekë (duke përfshirë edhe fondet e investimeve alternative), në rritje me 5.8% krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e aseteve megjithatë ngelet ende larg nivelit maksimal historik, që u arrit në vitin 2021, në vlerën e pothuajse 82 miliardë lekëve. Një zhvillim i rëndësishëm është edhe rritja e vazhdueshme e numrit të anëtarëve në këto fonde. Numri i anëtarëve në mesin e këtij viti arriti në 34 411, në rritje me 6.9% që nga fillimi i vitit 2024 dhe me 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është një tregues i rifitimit të besimit të investitorëve, pas largimit në masë gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, edhe numri i investitorëve ngelet ende larg nivelit prej më shumë se 40 mijë subjektesh (në masën dërrmuese individë) që regjistrohej para rritjes së normave të interesit, në fund të vitit 2021. Tregu i fondeve të investimit u godit në vitin 2022 nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Rritja e yield-eve e zhvlerësoi portofolin e titujve të mbajtur nga fondet e investimit dhe shkaktoi rënie të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet. Megjithatë, rënia e yield-eve gjatë vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024 bëri që tkurrja e vlerës së aseteve të frenohet. Mbështetur në të dhënat nga shoqëritë administruese, të gjitha fondet janë kthyer në territor pozitiv, për sa i takon kthimit vjetor nga investimi. Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare). Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët. Në fund të tremujorit të dytë 2024, në treg ishin aktivë 16 fonde investimi, të administruara nga gjashtë shoqëri të ndryshme administruese. Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë më shumë se 92% të vlerës neto të aktiveve të fondeve të investimit në instrumente financiare. Në tre vitet e fundit, vlera e fondeve në valutë të huaj është ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit. Mes fondeve, më i madhi me diferencë të konsiderueshme ngelet fondi i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, me 62% të aseteve neto të tregut. Vijon fondi tjetër në lekë i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, me 17.5% të vlerës neto të aseteve. Mes fondeve në valutë të huaj, më i madhi është Raiffeisen Invest Euro, me 6.35% të vlerës neto të aseteve. Ndërkohë, gjatë tre viteve të fundit në rritje paraqiten edhe fondet e investimeve alternative, Sea Land dhe Green View, që tashmë përbëjnë rreth 9.1% të aseteve neto të tregut. Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe rritja e vlerës së pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve.Monitor