Pas ish-ministres Olta Xhaçka, Vullnet Sina është deputeti i dytë që opozita kërkon heqjen e mandatit, pasi e akuzon për përvetësime të fondeve shtetërore në shklje të ligjit. Sina pranoi që kanë hyrë para në llogarinë e tij, por jo shumat e pretenduara. Beteja parlamentare e opozitës është përqëndruar në hepjen e mandatit të dy deputetëve të majtë.
Teksa pritet ende një vendim nga mazhoranca për mandatin e Olta Xhaçkës, Kuvendi ka nisur shqyrtimin e një tjetër kërkese nga opozita, këtë herë për dërgimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sina në Gjykatën Kushtetuese. Kjo vjen pas një debati të gjatë për mandatin e ministres Xhaçka, e cila u akuzua nga opozita për konflikt interesi, duke argumentuar se bashkëshorti i saj kishte përfituar statusin e investitorit strategjik. Opozita argumentoi se, si ministre dhe përfaqësuese e qeverisë, ajo nuk mund të mbante mandatin për shkak të këtij përfitimi indirekt nga fondet publike, duke pretenduar papajtueshmëri me detyrën e saj. Në këtë kontekst, Këshilli i Mandateve është përballur me një situatë të ngjashme edhe për Vullnet Sinën, pasi ai akuzohet se ka përfituar para publike përmes një kompanie private që zotëron. Shqetësime për opozitën janë disa prokurime të fituara nga një kompani e zotëruar prej tij, për të cilat PD pretendon se bien në kundërshtim me detyrat e një deputeti, i cili nuk lejohet të përfitojë nga fondet publike. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, Partia Demokratike ngriti pretendime se ky veprim përbën shkelje të mandatit të tij si deputet. Sina i kundërshtoi këto akuza, duke kërkuar më shumë kohë apër të përgatitur mbrojtjen juridike. Gjatë debatit, Sina pranoi se disa fonde kishin hyrë në llogarinë e tij, por sqaroi se shumat e pretenduara nga opozita ishin të ekzagjeruara. Përfaqësuesi i opozitës, Bardhi, argumentoi se mjafton edhe një përfitim minimal për të ngritur çështjen e papajtueshmërisë së mandatit, duke theksuar se asnjë deputet nuk duhet të mbyllë sytë përballë përfitimeve nga fondet publike. Në përgjigje, Sina kërkoi kohë për konsultim me avokatët e tij, çka solli edhe shtyrjen e seancës. Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur socialistët janë në dilemë për çështjen e Olta Xhaçkës, dhe vendimi përfundimtar për të dyja mandatet mund të ketë pasoja të rëndësishme për balancat politike në vend.