Lideri demokrat, Sali Berisha premtoi para anëtarëve të Këshillit Kombëtar se ky shtator do të jetë i fundit në opozitë.Berisha garantoi se më 2025, PD do të marrë pushtetin, duke shtuar se:Është në duart tona, në guximin, sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër.
Nga shtëpia, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh optimist në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, duke thënë se ky është shtatori i fundit që ata janë në opozitë. Përpara anëtarëve, ish-kryeministri tha se rotacioni nuk do të vonojë dhe Partia Demokratike do të marrë pushtetin në zgjedhjet e vitit 2025, siguri kjo e patrasmetuar më parë nga drejtuesit e PD. Sipas tij, këto 9 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme janë një betejë finale, ndërsa theksoi se demokratëve duhet t’i shihet në sy bindja për fitore.“Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin, rrotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin dhe sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër. Kemi hyrë në muajin e 9 përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj kemi përballjen finale kundër të keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti dhe dëboi masivisht shqiptarët. I them këto se çdo demokrat dhe demokrate kur të kërkojë votën për PD demokratëve duhet ti shihet në sy bindja për fitore, demokratëve duhet ti dëgjohet në zë bindja për fitore, duhet ti lexohet në shpirt bindja për fitore, demokratëve duhet t’u lexohet në trup bindja për fitore, e gjithë kjo sepse më shumë se kurrë fitorja qëndron në guximin, besimin dhe duart tona”, është shprehur Berisha. Ai ka fajësuar Lulzim Bshën, ish kreun demokrat se ka dëmtuar Partinë Demokratike. “Këto vite PD e plagosën, e plagosën jo pak, kjo nuk mohet. Me sulmin që na u bë kemi luftuar më shumë në mbrojtje sesa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, duhet të mbronim programin tonë, pluralizmin politik në Shqipëri që po jepte shpirt, duhet të mbronin opozitën shqiptare.Sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar, sot jemi PDSH më e fortë se kurrë”, tha mes të tjerash Berisha. Ish- kryeministri tha se zgjedhjet do të jenë prova më e vështirë në 32 vite për votën e lirë.“Jemi në moment përcaktues për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Jemi në një provë në provën më të vështirë të ndërgjegjes, guximit e të ardhmes sonë në 32 vite. Kjo është ndër më komplekset që kemi kaluar ndonjëherë si demokratë, por tani më shumë si qytetarë ndaj të vërtetës më sublime të njeriut.Kjo e vërtetë është e vërteta e votës së lirë që njëlloj si në diktaturën staliniste vdes para syve tanë, të partnerëve tanë pa hyrë akoma në kuti. Ky funeral i trishtë para ditës së votimit u serviret me tam-tame të mëdha nga Rama, propaganda e tij e shpifur. Rama mobilizon edhe racën më të shpifur njerëzore opozitarët e opozitës që si eunukë psiqikë festojnë në kor se zgjedhjet i fitoi Rama dhe i humbi opozita”, tha Berisha.