Bullgaria dhe Rumania kanë marrë dritën jeshile nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për tu bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Këtë ngjarje historike për të dyja vendet e njoftoi Sandor Pinter, ministër i Brendshëm i Hungarisë, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian
“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, u shpreh Pinter.
Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.
Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit. Megjithatë, Vjena ka thënë të hënën se nuk do të përdorë veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e së enjtes, dhe kështu dy vendet do të jenë anëtare të plota prej 1 janarit të vitit 2025.
Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010, mirëpo kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengenit, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite.
Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore për periudhë gjashtëmujore.
/REL