Viti i Ri pa kartolinat, ngjan si pranvera pa dallëndyshet.
Pranvera vjen edhe pa to. Por, i mungon shenja e parë, kënga e dallëndysheve.
Dhjetori ka qenë muaji i kartolinave.
Rendnim të gjenim më të bukurën. Mbase më të veçantën, më domethënësen.
Dhe bënim kujdes të shkruanim bukur.
Por, sido që ta kishim shkrimin, ai qe i veçantë. Se përmes shkrimit, i dërgonim njëri-tjetrit njeriun.
Urimi me shkrimin e dorës qe i vërtetë. Mbartëte vëmendjen, respektin. Edhe kushtimin. Vetë dashurinë për tjetrin.
Shkrimi ishim ne vetë.
Largësia bëhej afër. Respekti bëhej i prekshëm.
Dhe çfarë kënaqësie ndjenim kur merrnim në dorë kartolinat që na vinin. Postierëve nuk iu mjaftonte dita për të çuar njeriun tek njeriu.
Viti i Ri vjen edhe pa kartolinat. Por, pa kartolinat atij i mungon shenja e parë.
Tani nuk shkruajmë më. Tani dërgojmë sms. Njësoj, një për të gjithë.
Janë germa të thata, pa jetë. Pa bojë. Pa ngjyrë. Pa emocion.
Të gjitha njësoj.
Pa dorën e njeriut. Dhe pa vëmendjen. Pa kushtimin. Pa jetën që vinte përmes shkrimit.
I vramë kartolinat siç vramë këngën e dallëndysheve.
Ku është njeriu?…/K.K