Një punonjës i kompanisë “Banaking” është aksidentuar në vendin e punës dhe është dëmtuar në njërin sy.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur teksa punonjësi ishte duke hapur arkat e bananeve në kontenier dhe në një moment bisturia i ka shkarë nga dora dhe e ka dëmtuar në sy.
Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë së ngarkim shkarkimit Trifon Murataj, për mungesën e masave të sigurisë në punë.
Ngjarja ka ndodhur më 18 shkurt dhe policia pas hetimeve paraprake ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Murataj, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Durrës/ Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se:
Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës. Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës.
Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025. Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi Trifon Murataj, 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Vijon puna për kapjen e tij. / S,M