Vetëm një javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kandidati i Sali Berishës në qarkun e Fierit, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, pasi ka kundërshtuar policët bashkiakë. Këta të fundit, kanë qenë duke hequr një banderolë elektorale në qendër të qytetit të Fierit, banderolë e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, që mbante edhe emrin e kadidatit të Berishës, Semanjaku.
Në një video të siguruar nga Report Tv, dallohet edhe momenti kur kandidati i Berishës në listën e hapur të Fierit, debaton me tone të ashpra me policët e bashkiakë, të cilët nuk i lejon të heqin banderolën, ndërsa me zë të lartë dëgjohet t’u thotë policëve “mos e prek me dorë”.
Madje në një pamje tjetër që Report Tv ka siguruar, Semanjaku dallohet teksa kundërshton policët në momentin që ata heqin banderolën. Në këtë moment, dallohen një grup efektivësh të Policisë së Fierit që ndërhyjnë për ta shoqëruar në komisariat dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Partia Demokratike e ka cilësuar këtë një ndalim politik, ndërsa në komisariat shkoi edhe drejtuesi politik i PS në Fier, Gazment Bardhi. Në një deklaratë paraprake PD ka akuzuar se Semanjaku është shoqëruar me urdhër politik të Belinda Ballukut.
“Policia e Fierit me urdhër Politik të Belinda Ballukut, ka shoqëruar në Komisariat, Kandidatin e Partisë Demokratike Fatjon Semanjaku, pse bën fushatë dhe shpërndan fletushka në shesh”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, Policia e Fierit nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për ngjarjen. m.p.