Kryesocialisti Edi Rama vijoi sot turin e tij elektoral në qarkun e Korçës. Pas prezantimit të investimeve 12-vjeçare nga qeveria socialiste në tre mandate për qarkun dhe takimit me mbështetësit në Pogradec e Devoll, ai zbriti në kryeqendrën e verilindjes bashkë me skuadrën e kandidatëve të PS, ku u prit me një kolazh muzikor me motive patriotike nga grupi i qytetit.
Kryesocialisti Edi Rama u shpreh se tani i kuptonte emocionet e kandidatëve për pjesëmarrjen në shesh, teksa e shihte nga podiumi.
“Tani e kam parasysh pse tha djali nga Maliqi se kishte emocione kështu përballë dhe atë që tha Nikoja se do donim të ishim të gjithë këtu në podium, sepse shoh këtë trup të madh këtu në shesh, pamje spektakolare në shesh. Niko foli për të gjitha, projektet, investimet, ato që janë bërë e do bëhen, e ça më mbeti mua tani për të thënë?”, tha ai.
Dhe më tej bëri batuta me Niko Peleshin, teksa kërkoi ndjesë që “fryu” Ilir Vrenozin pak ditë më parë, teksa ai e ktheu këtë si një “shfaqje porno-politike”. Madje iu referua edhe sjelljeve të një prej kandidatëve të “kënetës” nëpër lokale.
“Dua të kërkoj një ndjesë për të gjithë ju qytetarët e Korçës që e përkëdhela Ilir Vrenozin në momentin e gabuar dhe pastaj u fry dhe u bë një shfaqje porno-politike në pallatin e sportit dhe besoj unë, se këneta i dha në qarkun e Korçës të gjithëve një arsye të fortë se pse nuk duhet votuar më 11 maj, kurrë! Dhe historia është shumë e thjeshtë. Më tregoi Niko një video të një deputeti të PD-së në një kafe (Fidel Kreka), ku deputeti bënte ‘uuuu…’, e ata atje i thoshin “bravo”. Kishte vetëm burra në lokal e nuk kishte gra. Ai bënte ‘uuuuu’. Më 1923 Korça zgjodhi Fan Nolin deputet, kurse në 2025 duhet të votohet Fideli, bën uuuu dhe i fryhet trupi e këmisha. Më vjen keq se ka edhe emrin e një shokut tim. Dhe e tërë Korça e pa se çfarë ndodhi në pallatin e sportit, shfaqje e neveritshme antieuropiane, antiqytetare, antishqiptare dhe antikorçare”, tha kryeministri para mbështetësve. m.p.