Veprimi i etiketimit të gazetarëve si “agjentë të huaj” është qëllimisht tronditës. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, jini të vetëdijshëm për rrezikun që mbart kërkimi i së vërtetës.
Antonio Zappulla
Muajin e kaluar, presidenti gjeorgjian Mikheil Kavelashvili miratoi një ligj të ri që vendos akuza penale, përfshirë dënime me burg dhe gjoba, për çdo organizatë apo individ që nuk i përmbahet ligjit të vendit për “ndikimin e huaj”.
Ky lajm nuk zuri faqet e para të shtypit ndërkombëtar dhe në përgjithësi kaloi pa u vënë re, por shënon një pikë kthese të rëndësishme në rënien e lirisë së shtypit në shkallë globale.
Projektligji fillestar, i miratuar për herë të parë në maj të vitit 2024, kërkonte që të gjithë mediat e pavarura dhe OJQ-të që merrnin mbi 20% të financimit nga jashtë, të regjistroheshin si “duke vepruar në interes të një fuqie të huaj”. Muajin para kësaj, Kirgistani kishte miratuar një ligj pothuajse identik. Në gusht, ishte radha e Venezuelës. Turqia paraqiti një projektligj në tetor, përpara se Paraguaji ta kthente në ligj në nëntor.
Në një hark kohor prej vetëm shtatë muajsh, vende në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Jugut u përfshinë nga këto ligje, të gjitha me të njëjtën bazë – organizatat dhe individët që marrin financim të huaj duhet t’i bëjnë të njohura aktivitetet e tyre para qeverisë.
Në dukje, kjo mund të duket si një masë e justifikuar për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ndërhyrja e huaj është një kërcënim real për shumë vende, sidomos gjatë cikleve zgjedhore. Vetëm këtë vit, një sërë aktorësh të huaj zhvilluan fushata masive dezinformuese për zgjedhjet në Gjermani, duke përhapur akuza të rreme se kandidatët e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ishin viktima të mashtrimeve zgjedhore.
Por djalli fshihet në detaje. Dhe – siç ndodh shpesh me këto ligje – ato detaje me qëllim mungojnë.
Shtetet e Bashkuara dikur ishin standardi i artë për lirinë e shtypit. Jo më.
Fuqia e këtyre ligjeve qëndron në formulime të paqarta dhe të gjera. Formulime që mund të përdoren, dhe janë përdorur, si armë ligjore për të vendosur ndëshkime dhe stigmë të tillë që e bëjnë punën e kujtdo që preket prej tyre praktikisht të pamundur. Sidomos të gazetarëve.
Merrni shembullin arketipor: ligjin për “agjentët e huaj” të Rusisë. I miratuar fillimisht pas protestave kundër rikthimit të Vladimir Putinit si president në vitin 2012, ligji përcakton si “agjent të huaj” çdo individ apo organizatë që merr financim të huaj dhe angazhohet në “aktivitete politike”. Por përkufizimi i aktiviteteve politike është aq i paqartë, sa përfshin gjithçka që mund të ndikojë opinionin publik – nga organizimi i një aktiviteti edukativ, deri te publikimi i sondazheve të opinionit.
Pasi etiketohen si të tillë, një gazetar apo redaksi duhet të regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë, të dorëzojë raporte të rregullta për aktivitetet, financat dhe kontaktet, duke u përballur me gjoba dhe burg nëse vonohen me një afat.
Asetet e tyre mund të bllokohen, llogaritë bankare të mbyllen dhe donacionet apo grantet që i mbanin në këmbë të ndërpriten. Ata ndalohen edhe nga hyrja në institucione arsimore si shkolla, universitete apo kopshte.
Dhe pastaj vjen stigma sociale. Ajo është e ngulitur në vetë etiketën – “agjent i huaj”. Qëllimisht e formuluar me retorikë spiune, synon të sjellë ndër mend kujtimet e epokës sovjetike: arrestime, ekzekutime dhe dërgime në gulag.
Për shumë prej tyre, barra është e papërballueshme. Të paktën 93 media të pavarura janë të njohura që janë detyruar të shkojnë në mërgim nga Rusia. Në Bjellorusi, e cila miratoi një version edhe më të ashpër të këtij ligji në vitin 2023, shumica janë larguar.
Por as në mërgim nuk shpëtojnë nga etiketa. Sipas ligjit, ata duhet të përfshijnë një shënim në çdo material të botuar, ku thuhet: “Ky është produkt i një organizate të përcaktuar si agjent i huaj”. Edhe një postim personal në Facebook.
Kjo shpesh tremb audiencat në atdhe, nga frika se do të përfshihen në mbikëqyrje shtetërore përmes lidhjes me këta gazetarë. Etiketa është bërë aq pjesë e fortë e identitetit të gazetarëve rusë dhe bjellorusë në mërgim, sa disa e kanë shtypur në bluza apo e kanë bërë tatuazh në trupin e tyre.
Ndikimi te brezat e ardhshëm të gazetarëve aspirues nga këto vende është gjithashtu shkatërrues, duke kufizuar aspiratat dhe aftësinë e tyre për të zhvilluar shkathtësi në një industri që tashmë është e demonizuar – duke krijuar një boshllëk ku mungon çdo kundërbalancë ndaj propagandës shtetërore.
Do të ishte naive të mendohej se ky është një problem vetëm i shteteve autokratike. Me rritjen e fushatave dezinformuese dhe ndërhyrjes në zgjedhje, shumë demokraci po shqyrtojnë ligje të ngjashme – Italia dhe Mbretëria e Bashkuar janë dy shembuj.
Ato kanë të drejtën për këtë. Por është jetike që detajet të përcaktohen qartë. Siç kemi parë vitet e fundit, një vend që është demokratik sot mund të rrëshqasë lehtë në autoritarizëm nesër. Dhe kur kjo ndodh, liderët autokratë do t’i përdorin këto ligje të paqarta për të shtypur çdo kundërshtim.
Ka disa prova që sugjerojnë se presioni i qëllimshëm, si në planin e brendshëm ashtu edhe ndërkombëtar – veçanërisht kur lidhet me vazhdimin e investimeve të huaja direkte – mund të jetë efektiv për të penguar ligje të tilla. Për shembull, projektligji turk i vitit 2024 është tërhequr për momentin, falë një përpjekjeje të koordinuar nga shoqata juridike, grupe për të drejtat e njeriut dhe organizata për lirinë e mediave.
Por në shumë vende, dëmi tashmë është bërë. Më shumë se çdo gjë tjetër, këta gazetarë dhe redaksi – qoftë në mërgim apo duke qëndruar për të luftuar në vend – kanë nevojë për përfaqësim dhe mbështetje ligjore.
Që nga viti 2022, Fondacioni Thomson Reuters ka mbështetur redaksi të pavarura në mërgim që të riorganizohen në juridiksione të reja dhe të ndërtojnë qëndrueshmëri ligjore për t’u përballur me këto sulme të ashtuquajtura “ligjore”.
Për shumë prej tyre, Gjeorgjia dukej si një vend natyral për një fillim të ri. Shtetasit rusë, për shembull, mund të udhëtonin lirshëm në vend dhe kufiri tokësor e bënte të mundur një lëvizje të shpejtë. Megjithatë, këtë vit, na ka tronditur fakti se disa nga redaksitë e para që ndihmuam të themeloheshin në mërgim atje, po detyrohen të largohen sërish.
Gazetarët po ndiqen fjalë për fjalë përtej kufijve nga ligje të stilit “agjent i huaj”, të përndjekur dhe ngacmuar nga një vend në tjetrin. Janë kohë thellësisht shqetësuese, por ne po zgjerojmë punën tonë. Mundemi dhe do të reagojmë.
*Antonio Zappulla është drejtor ekzekutiv i Fondacionit Thomson Reuters.