Para se të shkojë në takimin elektoral në Fushë-Krujë, kryeministri Edi Rama u bën thirrje shqiptarëve jashtë vendit që të dorëzojnë zarfet e votimit. Thotë se pavarësisht shifrave në shtete specifike, numri total i pjesëmarrjes së diasporës është i lartë dhe inkurajues.
“Jemi në një situatë ku është vërtet inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim me një sërë vendesh të tjera. Por si herë e parë duhet te jetë më e lartë besoj unë. Kështu, do t’ju thosha shqiptarëve të Italisë që janë në krye të të gjithëve me 74%, forca! Janë edhe 24 mijë zarfa të padorëzuar. Do t’u thosha shqiptarëve të Greqisë që janë më mbrapa të gjithëve, për fajin e konfuzionit që u kurijua në ditët e para nga kompania, forca, forca, forca! Ka akoma kohë, mos prisni që të vijnë t’ua marrin, por kthejini mbrapsht në pikën përkatëse postare të DHL-së. Nga Gjermania janë 72%, por janë ende 7 mijë të padorëzuar. Bëni një përpjekje të fundit. Amerika shumë mbresëlënëse, 70%, por janë ende mbi 5 mijë pa dorëzuar. Britania e Madhe, 59% me 7 mijë të padorëzuara ende dhe të tjerat në total kanë një shifër goxha inkurajuese, 88% në total. Rezultojnë të jenë rreth 15 mijë të dorëzuara nga 17 mijë të shpërndara, por janë 1300 e ca që janë ende në duart tuaja që më ndiqni nga larg.”/E.S