Numri i infermierëve në botë është rritur, duke shkuar në 29.8 milionë. Raporti i OBSH nxjerr në pah se pavarësisht rritjes, shpërndarja e tyre është e pabarabartë, 78% e infermierëve punojnë në vende që përfaqësojnë vetëm gjysmën e popullsisë globale.
Europa ka numrin më të lartë të infermierëve në raport me popullsinë, por dhe këtu ka pabarazi midis shteteve. OBSH raporton se në Rajonin Europian shërbyen 7.2 milionë infermierë, me një densitet prej 76.9 për 10 mijë banorë, më i larti në botë.
Disa shtete kanë mbi 200 infermierë për 10 mijë banorë, ndërsa të tjera janë larg këtij niveli. Në Shqipëri, sipas të dhënave më të fundit të OBSH-së, raporti infermierë-popullsi është ende nën mesataren europiane.
Rajoni Europian ka një forcë pune relativisht të re, ku një në tre infermierë është nën moshën 35 vjeç. Gratë përbëjnë 85% të stafit infermieror.
Eksertët e OBSH kanë nxjerr në pah se 1 në 7 infermierë punojnë jashtë vendit ku kanë lindur. Shqipëria renditet në krye të vendeve që diplomon më shumë infermierë, një pjesë e të cilëve largohet jashtë vendit.
OBSH parashikon se deri në vitin 2030, numri i përgjithshëm i infermierëve në botë të arrijë në 36 milionë, ndërsa pabarazitë do të thellohen, duke bërë që 70% të mungesave të përqëndrohen në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. m.p.