Justin Bieber ka shitur të gjithë katalogun e tij muzikor për 200 milionë dollarë në dhjetor të vitit 2022, për shkak të problemeve të mëdha financiare. Ky informacion u bë i ditur në një dokumentar të ri të titulluar “TMZ Investigates: What Happened to Justin Bieber?”, i cili është transmetuar në platformën Hulu.
Sipas dokumentarit, Bieber kishte grumbulluar një pasuri prej rreth 500 milionë deri në 1 miliard dollarë gjatë karrierës së tij, por përfundimisht “duhej ta shiste katalogun e tij muzikor sepse ishte në prag të kolapsit financiar”, thuhet në dokumentar.
Ky kolaps, sipas burimeve, ishte pasojë e borxheve të krijuara pas anulimit të turneut të tij “Justice World Tour” në vitin 2022. Për më tepër, menaxheri i tij i atëhershëm, Scooter Braun, e kishte këshilluar të priste deri në janar të vitit 2023 për të realizuar shitjen dhe për të përfituar nga një ulje tatimore, por Bieber kishte vendosur ta shiste menjëherë për shkak të situatës së tij financiare të rënduar.
Në dokumentar, producenti ekzekutiv i TMZ-së, Harvey Levin, tha se “në vitin 2022, ai ishte në prag të kolapsit financiar”, dhe për këtë arsye ai “duhej ta shiste katalogun e tij”. Një tjetër prodhues ekzekutiv i TMZ-së, Don Nash, tha se Bieber do të kishte fituar 90 milionë dollarë nëse do ta kishte përfunduar turneun e tij “Justice World Tour”, i cili u anulua në shtator të vitit 2022 për të bërë prioritet shëndetin e tij.
Në dokumentar, gjithashtu u përmend se Bieber kishte shpenzuar shumë para për luks, duke përfshirë tetë autobusë për turneun e tij dhe shpenzime të mëdha për rinovimin e njërit prej tyre, si dhe udhëtime me avionë luksozë dhe blerje të vilave me para në dorë.
Ky dokumentar vjen një muaj pas një artikulli të The Hollywood Reporter, i cili gjithashtu pretendoi se Bieber kishte mbetur me miliona dollarë borxhe pas anulimit të turneut. Në atë kohë, një përfaqësues i yllit të muzikës e quajti atë “budallallëk klikimesh” bazuar në burime të panjohura dhe të pasigurta./E.Ç