Në legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike ka futur në Kuvend Zija Ismailin, mjeku që firmosi ekspertizën mjeko-ligjore të dyshuar si të manipuluar për vdekjen e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç të çështjes “Gërdeci”.
Ismaili, i renditur i dyti në listën e mbyllur të PD-së për Qarkun Berat, është sot deputet përkrah Sali Berishës dhe Fatmir Mediut, dy prej figurave kryesore politike të akuzuara për tragjedinë e Gërdecit.
Kosta Trebicka u gjet i vdekur më 12 shtator 2008 në rrethana të dyshimta, vetëm pak ditë pasi kishte akuzuar me emër Shkëlzen Berishën për përfshirje në aferën e demontimit të armëve. Ekspertiza zyrtare, e firmosur nga Zija Ismaili, në atë kohë shef në Spitalin e Beratit dhe funksionar lokal i PD-së, e cilësoi vdekjen si “aksident automobilistik”.
Por dyshimet për një manipulim të qëllimshëm nisën që atëherë. Versioni zyrtar i vdekjes u bë publik nga Sali Berisha dhe Policia e Shtetit disa orë para se të përfundonte ekspertiza. Akti mjeko-ligjor, i firmosur pas mesnate, u konsiderua më shumë si një mjet mbulimi, sesa si një analizë shkencore.
Ismaili nuk ishte i vetëm. Në grupin që firmosi këtë ekspertizë ishin edhe mjekët Admir Sinamati (sot kryetar i PD-së në Kukës), Hasan Laho dhe Robert Bicolli, të gjithë me lidhje të forta politike me strukturat e PD-së. Ky grup dyshohet se ka vepruar me urdhër të drejtpërdrejtë nga Sali Berisha.
Pas ngjarjes, Zija Ismaili u shpërblye me një pozicion si pedagog në Universitetin e Mjekësisë dhe mbeti brenda orbitës politike të Berishës. Në vitin 2023 ai u kandidua nga PD për kryetar bashkie në Berat, ndërsa në 2025 u përfshi në listën e mbyllur për deputet, nga ku siguroi ulësen në Kuvend.
Për shumëkënd, pranisë së tij në parlament nuk i mungon simbolika e hidhur: një nga firmëtarët që mbylli rrugën për zbardhjen e një prej ngjarjeve më të errëta në historinë politike të vendit, sot është vetë pjesë e sistemit. Në vend që të mbrojnë të vërtetën, ata që dikur mbulonin krimet, sot e përfaqësojnë “në emër të popullit”.
Tragjedia e Gërdecit vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa personat kyç që mund të kishin kontribuar në zbardhjen e saj – si Kosta Trebicka – janë zhdukur, dhe ata që e mbuluan të vërtetën, janë sot të zgjedhur dhe të privilegjuar. m.p.