Gjermania kthen pas më shumë migrantë ilegalë. Kancelari Merz thekson politikën e mikpritjes, por refuzon spostimin në Gjermani të problemeve të të tjerëve, shkruan Auron Dodi.
Shifrat që paraqiti ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandër Dobrindt janë konkrete. Dobrindti tha pak ditë më parë në një vizitë pranë Kiefersfelden, në kufirin e Gjermanisë me Austrinë, se numri i kthimeve pas të migrantëve të paligjshëm është rritur me 45 përqind. Kjo vetëm një javë pas fillimit të punës së qeverisë Merz.
Janë kthyer pas në kufi 739 persona, përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë nën qeverinë e vjetër. Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël.
Disa medie kanë shkruar se kthime masive bëri së fundi edhe qeveria e kaluar Scholz dhe se masat aktuale janë simbolike. Por hapat e qeverisë Scholz për të frenuar migrimin e paligjshëm drejt Gjermanisë i kanë regjistruar e përmendur në Bundestag edhe partitë konservatore unioniste.
Të premten (23.05.) u bë e ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, qeveria e kaluar Scholz ktheu pas në kufi 6151 migrantë të paligjshëm. Ata i kthyen pas kryesisht në Turqi, në Gjeorgji, në Francë, në Spanjë, në Serbi dhe në Irak.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt tha se masat aktuale nuk janë sa për sy e faqe, siç e akuzon qeverinë p.sh. partia ultra e djathtë, AfD. Këtë e konfirmon fakti se janë shtuar në kufi, ndër të tjera, mbi 3000 efektivë policie. Janë përdorur gjithashtu edhe helikopterë, dronë dhe kamera të imazheve termike, për të diktuar migrantët ilegalë.
Ministri i Brendshëm tha se jo në çdo pikëkalimi kufitar është vendosur një efektiv policie, por edhe mund të vendoset. Kjo bëhet për të çorientuar trafikantët e qenieve njerëzore.
Kontakte me fqinjët për kthimin e refugjatëve – Kancelari Friedrich Merz tha në një kongres të degës së partisë së tij CDU, në Shtutgart, të shtunën (17.05.) se kishte “folur me të gjithë” fqinjët. Ai shtoi se “të gjithë e dinë se çfarë synojmë ne”. Merz u tha të pranishmëve:”mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo është e drejtuar kundër fqinjëve tanë evropianë.”
Kancelari gjerman theksoi se “ne duam ta zgjidhim këtë problem së bashku (me fqinjët- shën. i red.), por nuk mund ta pranojmë, që një pjesë e madhe e problemit të pazgjidhur të mbërrijë në Republikën Federale të Gjermanisë.” Një shembull që sjellin mediat këtë javë janë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Azia. Këta refugjatë p.sh. Bjellorusia i dërgon në Poloni, prej ku shumë pastaj vijnë në Gjermani.
Kurse Kryetari i grupit parlamentar konservator, CDU/CSUnë Bundestag, Jens Spahn tha të martën (20.05.) se edhe po të ketë “zemërime” të fqinjëve: qytetarët në Gjermani duhet të kenë mundësi të shohin “të kënaqur, atë që ndodh në kufijtë tanë.” m.p.