Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare të ndërtimit, duke u renditur mes fituesve kryesorë në një nga konkurset më prestigjioze të industrisë globale: “International Gypsum Trophy”, në ceremoninë e zhvilluar në Paris.
Në pjesëmarrjen e saj të parë në këtë event të nivelit të lartë, Shqipëria u vlerësua me çmimin e parë në kategorinë “Rezidenciale”, përmes projektit vizionar Downtown One Albania, realizuar nga Kastrati Group në bashkëpunim me Saint-Gobain.
Ky ishte edicioni i 14-të i konkursit ndërkombëtar, ku morën pjesë 85 projekte nga 29 vende të botës, duke përfshirë SHBA, Evropën, Azinë dhe Afrikën. Një juri ndërkombëtare, e përbërë nga ekspertë të njohur në ndërtim, arkitekturë dhe dizajn, vlerësoi projektet pjesëmarrëse për kreativitetin, teknologjinë, cilësinë e punimeve dhe qasjen ndaj qëndrueshmërisë.
Downtown One, ndërtesa më e lartë në Tiranë, u cilësua si një model suksesi falë dizajnit të guximshëm, teknologjive të avancuara dhe zbatimit profesional. Përfaqësuesi i Kastrati Group, Drivalb Ponde, e përshkroi këtë arritje si një moment historik: “Ishte një përvojë sfiduese, vërtet unike dhe një arritje e madhe për ne si Kastrati Group dhe për Shqipërinë në tërësi.”
Përfaqësuesja e Saint-Gobain në Shqipëri, Erisa Latifi, theksoi krenarinë për këtë bashkëpunim: “Jemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij projekti inovativ, që kemi kontribuar në realizimin e tij dhe që përfaqësojmë vendin tonë të vogël në një garë kaq të rëndësishme. Ka qenë një nder të jemi pjesë e këtij rrugëtimi”. m.p.