Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në Gërgoc të Gjakovës, ku kanë marrë pjesë në një ceremoni të veçantë në nder të gjeneralit Fadil Nimani. Në këtë fshat, është vendosur dhe një pllakë përkujtimore e tij.
“Dëshmor ose jo, si të doni më quani, por amanetin për liri, vëllezër t’ma ruani”, ishte amaneti që Komandant Tigri, siç e thërrisnin në luftë Fadil Nimanin, kishte lënë amanet si një thirrje që do të mbetet udhërrëfyes për të gjitha gjeneratat.
Sot, në 24 vjetorin e rënies së tij heroike veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përuruar pllakatën përkujtimore të Komandant Tigrit. Të pranishëm kanë qenë Ali Ahmeti, Ramush Haradinaj dhe veprimtarë të tjerë të luftës nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
“Komandant Tigri, heroi i tri ushtrive çlirimtare, ishte gjithmonë në ballë të betejave, përballë armikut, deri në ditën kur ra heroikisht, për të mos vdekur kurrë në kujtesën tonë.
Ai ishte dhe do të mbetet frymëzim për çdo shqiptar, simbol i gjallë i sakrificës dhe dashurisë për atdheun. Lavdi Komandant Tigrit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, shkruan Ali Ahmeti teksa ndan pamjet e mëposhtme. m.p.