Nga Fernada Cenko
Nuk është e lehtë të shkruash për Artan Lamen. Jo sepse mungojnë fjalët, por sepse ai nuk hyn te ata njerëz që mbarojnë me një fjali. Ai të mbetet pezull, si një shije e fortë që s’ta harron goja, si një zë që edhe kur hesht, e kujton me intonacion, me tension, me shpërthim, madje edhe mimikëm e tij. Lame për të gjithë që e njohën nga afër, ishte njeri i thellë, jo i qetë. Jo i thellë se ka lexuar libra, por i thellë në shpirt në krah të të vërtetës. Dhe kur nxehej, nuk nxehej për veten, nxehej kur prekej historia, kur abuzohej me të vërtetën, kur një dokument humbiste vlerën, kur një emër nuk i jepej nderit që meritonte. Ishte e pabesueshme me çfarë ngarkese shpirtërore i përjetonte ato që për të tjerët ishin vetëm lajme, procedura apo detyra zyre. Ju do më plasni,- thoshte Lame, sa herë që nuk gjente zbatim të atyre që ai kërkonte. Kur mora ftesën për të qenë zëri i tij në media, sapo kishte marrë drejtimin e ALUIZNI-t, nuk ishte një “po” që ma dha goja menjëherë. Kisha hezitim. Jo nga pozicioni, por nga pesha e karakterit të tij. E kisha parë në emisione si “Opinion” ku, edhe pse nuk donte ta rrëzonte asnjë diskutim, thjesht e nxirrte nga binarët me një të vërtetë që nuk mund të shmangej. Ai nuk ishte as për debate sterile, as për teatër televiziv. Ishte për përplasje reale, të fortë, të thellë, pa rrumbullakime. I thashë po, ndoshta me mendimin që dy kolonjarë, edhe po të përplasen, do e gjejnë një gjuhë, një mënyrë për të punuar. Dhe e gjetëm për 10 vite me rradhë.
Artani nuk ishte gjithmonë zë. Kishte dhe momente kur heshtte. Jo nga frika. Jo se u shit. Jo se u mbyll. Por sepse i nxirrte dhimbjet me të vetët, me ata që i njihte dhimbjet. E kanë goditur, i kanë prerë rrugën, ia mbyllën edhe përpjekjen 10-vjeçare me pronat, atëherë kur ai e kishte vënë goxha në binar hallin e madh të shqiptarëve. Pasionin më të madh e kishte lënë për fundin: muzeun. Ishte më shumë se një projekt, ishte një shpresë për të mbetur gjallë përtej jetës fizike. Tek godina e ish-Gardës, kishte gjetur vendin ku do t’i linte më në fund shpirtin e lirë. Aty s’do të kishte më zhurmë, as baltë, as sulme, as tituj. Vetëm historia. Vetëm e vërteta. Aty do ishte vetja. Do bëhej gati për t’u zënë me gjithë botën, nëse do duhej, për të mbrojtur të shkuarën që nuk duhej harruar. E ndërtoi muzeun me fanatizëm. Me dashuri. Me manira që lodhte miqtë, por që të bindte se po ndërtonte diçka që nuk kishte ndodhur më parë. Dhe ndoshta nuk do të ndodhë më me atë përkushtim. Dhe sot, bashkë me Mirelën, Lisianin dhe Arbisin, ai ka lënë edhe një tjetër “fëmijë” jetim: muzeun që s’arriti ta rrisë, por që e ngjizi me shpirtin e tij të paqetë. Unë sot nuk kam nevojë të them “ngushëllime”. Kam nevojë të them faleminderit.
Faleminderit, drejtor!