Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për garantimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Këto deklarata ajo i bëri në takimin me delegacionin e Kongresit amerikan të udhëhequr nga kongresistet, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan si dhe me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
“Osmani nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm”, u tha në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani me dy kongresistet amerikane ka diskutuar për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë, por edhe për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, veçmas në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimit të mëtejmë të raporteve dypalëshe.
“Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës”, tha Presidenca e Kosovës.