Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump është i gatshëm për të udhëtuar drejt Turqisë për të zhvilluar një takim tre palësh mes tij, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyt.
Ky lajm është bërë i ditur nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë për mediat vendase, e cila u shpreh se: “Trump do të ishte gati nëse kjo do të ndodhte, por ai dëshiron që këta dy udhëheqës dhe të dyja palët të ulen së bashku në tryezën e negociatave”.
Bisedimet e radhës për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, do të priten në Turqi, ndërsa ka qenë presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan, i cili sygjeroi përsëritjen e një takimi të tillë, pas mbledhjes dy palëshe të negociatorëve rusë e ukrainas.
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov ka bërë thirrje për një takim të veçantë mes Zelenskyt dhe Putin një kërkesë që Zelensky ka përsëritur edhe më parë, pa marrë përgjigje nga Kremlini. m.p.