Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Washington DC, ku dhe u takua me drejtues dhe zyrtare të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA, të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.
Ky lajm është bërë me dije nga vetë SHISH përmes një deklarate në faqen zyrtare të këtij institucioni. Në takimin që zonja Hyseni kreu me drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA- Tulsi Gabbard, diskutoi sa i përket çështjeve të bashkëpunimit.
Gjithashtu, diskutuan edhe për sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, dy çështje të cilat janë me interes të lartë dhe parësor për të dyja vendet.
SHISH thekson se u vlerësua kontributi i Shqipërisë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, ndërsa vetë agjencia shqiptare u konsiderua një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
“U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SHISH.
Ndërkohë që gjatë takimit me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, John Ratcliffe, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta. m.p.