Partia Demokratike ka depozituar një tjetër kërkesë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), këtë herë me pretendimin se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdoruara për zgjedhësit brenda vendit në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas asaj që shkruhet në shkresën e PD-së, rezulton se janë:
3.534.792 fletë votimi të prodhuara,
1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit,
1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura, dhe
5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara.
Pra një diferencë kjo, siç theksohet në kërkesë, tregon se mugojnë 130,754 fletë votimi të papërdorura.
Përmes shkresës, PD kërkon nisjen e një hetimi administrativ urgjent dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit. Demokratët kërkojnë nga KQZ sqarime të detajura, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri i fletëve me shumën e votave të gjetura në kuti.
“Kërkojmë, nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së, si dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor;
Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, me qëllim të tregohen qartë vendndodhja dhe trajtimi i mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri total i fletëve të prodhuara me shumën e votave të gjetura në kuti, plus fletëve të papërdorura plus fletët e dëmtuara.
Këmbëngulim që për këto fakte tronditëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë menjëherë dhe në përputhje të plotë me parimin e ligjshmërisë”, thuhet në dokument. m.p.