SPAK, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, ka goditur një rrjet të madh kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe që drejtohej nga shqiptarë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat të mbajtur në Tiranë, SPAK dhe Prokuroria finlandeze dhanë detaje për operacionin e përbashkët, i cili është rezultat i një hetimi të nisur dy vite më parë.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluar se si funksiononte grupi kriminal që drejtohej nga Shqipëria.
“Aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptar, 10 ishin në Shqipëri, një jo. janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë janë edhe shtetas finlandez, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike. Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike.”, u shpreh Dumani./E.T