Nga Leonard Veizi
Qeveria na paska miratuar një buxhet prej rreth 2.5 milionë dollarësh që Blloku të bëhet sërish Bllok — me stil, me drita, por pa makina. Studiot ndërkombwtare të arkitekrurës janë turrur të kapin ndonjë lek nga xhepat e shqiptarëve.
Në një akt të guximshëm urbanistik që do të hyjë në histori si “Rikthimi i Madh”, qeveria ka vendosur të transformojë ish-Bllokun në një zonë pedonale moderne.
Kështu, ajo që dikur ishte “Blloku” i udhëheqjes dhe “ndalim kalimi” për popullin, u kthye në “ish”. Tani, pas ndërhyrjeve estetike, me siguri do të cilësohet sërish “Bllok” — kësaj radhe i dekoruar dhe i ndriçuar, por gjithsesi, i mbyllur për makinat.
E përveç kësaj, së fundmi po prezantohen para një jurie ndërkombëtare projekt-idetë arkitekturore për rimëkëmbjen dhe modernizimin e rezidencave qeveritare në vend. Gara bëhet për dy projekte: një për vilën e Enver Hoxhës në Vlorë dhe tjetri për një rezidencë qeveritare në zonën e Velipojës. Se kjo e Tiranës… u bë top.
— Të fala topave.
Duket sikur gjithçka po vërtitet rreth Enver Hoxhës, duke filluar nga rehabilitimi i Piramidës. Dhe gjithçka mban emrin e tij. “Piramida e Enverit”, “Vila e Enverit”, “Koha e Enverit”…
-Enver Hoxha o e mprehu shpatën…
Edhe vilat e Mehmet Shehut vazhdojnë të mbajnë të njëjtat toponime. Ndonjëherë, ajo që është në qendër, pranë ish-Komitetit Qendror, quhet thjesht “Vila 30”. Se “31” si numër fati, e kishte kush e kishte.
Megjithatë, për vilat e Mehmetit — jo të pakta nëpër Shqipëri, sidomos ajo e Vlorës — nuk është thënë ndonjëherë ndonjë “fjalë e mirë”.
— Po vila e shoqes Lenka? Meqë ra fjala…
Ah, ajo është kthyer në Pab.
Sipas planit të detajuar me grafikë tre-dimensionale të ngjyrosura me pastela, në “Bllok” a “ish-Bllok” do të ndërtohen rrugica me gurë dekorativë, ndriçues publikë që duken si nga Kopenhageni, vazo me lule që do të zverdhen brenda muajit nga smogu i trafikut përreth, dhe stola minimalistë, ku njerëzit do mund të ulen për të medituar mbi mungesën e transportit publik funksional.
Por kjo nuk është thjesht një çështje infrastrukture. Kjo është rikthimi simbolik i “Bllok”-ut si koncept. Sepse, për ata që nuk e dinë — ose bëjnë sikur s’e dinë — Blloku s’ka qenë kurrë thjesht një lagje. Ai ka qenë një gjendje shpirtërore. Dhe një filozofi e të jetuarit. Ishte vendi ku njerëzit e thjeshtë nuk hynin dot, madje as nga larg nuk e shikonin, sepse banesat përreth kishin funksionin e një gardhi të padukshëm, ku zakonisht banonin oficerë të Gardës dhe zyrtarë të rëndësishëm të shtetit.
Nga ky Bllok, njerëzit e rëndësishëm — anëtarë të Byrosë Politike — dilnin vetëm me Benz Mercedes SEL 280, e me shoqërues në sediljen e parë.
Në vitet e lavdishme të liberalizmit, aty kalonte kush të donte — nga “Range Rover” deri tek “Fiat Punto”, që ishte gati t’i dilnin pistonat jashtë kofanos. Por atyre ditëve do t’u thuhet lamtumirë.
Tani, në një akt të paprecedent nostalgjik, makinat e zakonshme nuk do të lejohen, ndërsa do të lejohen biçikletat e rëndësishme, të cilat, me të drejtë, nuk ndotin ajrin — por vetëm nervat. Në fund të fundit, do bëhemi si Evropa, apo jo?
Ndërkohë, në fundjavë, Blloku — me ose pa makina — do vazhdojë të bëhet lesh e li. Si gjithmonë. Sepse makinat ndalohen, por muzika me volum industrial jo. Shëtitja me fund të shkurtër e geta rrjete do të vazhdojë. Çmimet e kafes do të rriten proporcionalisht me metrat e bllokuar, dhe një pije e ftohtë pa alkool do të kushtojë sa… një patentë makine në vendet nordike.
Por është në rregull. Sepse ndriçimi do jetë LED, ajri do jetë më pak i ndotur për 100 metra katrorë, dhe këmbësorët do ndihen si në Paris, të paktën për 30 sekonda — derisa të kalojë një motor me marmitën e prerë, që bën zhurmë sa për 80 makina. Dhe kështu, Blloku rilind. Blloku ndriçon. Blloku frymëzon. Dhe mbi të gjitha: zhbllokohet.