Nga Leonard Veizi
Në një qoshe të mjegullt të Ballkanit, atje ku tingulli i violinës shpesh humbiste në zhurmën e armëve, një djalosh i brishtë me sy të zjarrtë dhe shpirti të lënduar, kompozonte për lirinë – jo me shpatë, por me piano. Quhej Ciprian Porumbesku, dhe jetoi sa për të dhënë një frymë, sa për të lënë një melodi që do të sfidonte vdekjen. Në netët e tij të fundit, kur mushkëritë e brishta copëtoheshin nga tuberkulozi, ai nuk mund ta dinte se një shekull më pas, në një tjetër vend, një popull tjetër do të ngrihej më këmbë nën tingujt e muzikës së tij. Nuk mund ta dinte se melodia që shkroi për flamurin e bashkimit rumun, do të bëhej fryma e flamurit shqiptar – do të jehonte nëpër sheshe, do të këndohej në betejat për pavarësi, do të shpallej himni i një kombi tjetër. Ai nuk e njohu kurrë Shqipërinë. As nuk e dëgjoi gjuhën e saj. Por muzika e tij, si një zog që fluturon përtej kufijve, gjeti strehë në zemrën shqiptare. Aty ku fjalët e Asdrenit u ngjitën mbi notat e tij, për të krijuar një lutje të përjetshme për liri. Ciprian Porumbescu, një rumun që pa e ditur, ndihmoi Shqipërinë të këndonte lirinë e saj….
…Ai u nda nga jeta në 6 qershor të vitit 1883. Në jetën e tij të shkurtër, vetëm 29 vjet, Ciprian Porumbesku la pas një trashëgimi të ndjeshme e të fuqishme muzikore, që e kapërceu kufirin e vendlindjes së tij. Lindur më 1853 në Suceava të Rumanisë, Porumbesku qe një kompozitor romantik me shpirt të trazuar dhe ndjeshmëri të thellë patriotike. Veprat e tij përfshijnë balada, këngë korale dhe marshime, të frymëzuara nga dëshira për liri, bashkim dhe identitet kombëtar. Pikërisht në këtë shpirt lindi edhe “Pe-al nostru steag e scris Unire”, një marsh i fuqishëm, që do të udhëtonte përtej Danubit dhe do të gjente një strehë të re në zemrën e shqiptarëve.
Pavarësia e Shqipërisë
Në vitin 1912, në Sofje, Asdreni – Aleksandër Stavre Drenova, – poeti i përkushtuar i Rilindjes, botoi vargjet e tij me titull “Himni i Flamurit”, një thirrje për bashkim, nder dhe liri. Për këtë poezi, ai zgjodhi melodinë e marshit të Porumbescut, duke krijuar kështu një simbiozë të rrallë artistike: fjalët shqiptare mbi melodinë rumune. Kjo u bë himni kombëtar i Shqipërisë, i njohur sot si “Himni i Flamurit”.
Për Shqipërinë, kjo nuk ishte thjesht një huazim muzikor – ishte një akt miqësie kulturore dhe ndjenjë shpirtërore. Porumbescu, pa e ditur kurrë, bëhej pjesë e një identiteti të ri, duke i dhënë zë pavarësisë së një kombi tjetër.
Vdekja e kompozitorit
Vdekja e tij e parakohshme në vitin 1883, nga tuberkulozi, nuk e ndali dot jehonën e muzikës që krijoi. Ndërsa në Rumani kujtohet si simbol i shpirtit kombëtar, në Shqipëri ai mbetet përjetësisht i lidhur me çastin më të lartë të identitetit tonë kombëtar: shpalljen e Pavarësisë.