Nga Leonard Veizi
Tirana është zgjuar këto ditë nën hijen e frikës dhe tensionit. Një atmosferë e rënduar ka zënë vend në rrugët e qytetit, ku prania e policisë është bërë dominuese, rrugët bllokohen në mënyrë të përsëritur dhe sinjali i internetit vjen e shkon, sikur të ishim në një vend të përfshirë nga trazirat civile. Një ndjesi e qartë pasigurie përhapet në ajër, si në një kryeqytet që po përgatitet për të përballuar një kërcënim të padukshëm.
Në mend më vjen “Missing”, një film dramatik biografik amerikan i vitit 1982, – mbështetur mbi një libër me të njëjtin titull, – ku flitet për grushtin e shtetit në Kili
Shkak për këtë klimë është mbërritja e skuadrës kombëtare të Serbisë për një ndeshje futbolli në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror. Por sporti ka kaluar në plan të dytë. Është kujtesa kolektive ajo që është rikthyer në qendër të vëmendjes — ajo e tetorit të vitit 2014, kur në stadiumin e Beogradit, një dron me flamurin e Shqipërisë etnike ndezi një përplasje të egër në fushë, duke e shndërruar ndeshjen në një akt diplomatik të tensionuar. Në vend të futbollit, në skenë dolën urrejtjet historike dhe provokimet politike.
Sot, njëmbëdhjetë vjet më vonë, historia duket se përsëritet në formën e një kujtese të organizuar me frikë. Masat e sigurisë janë ekstreme. Të gjitha hyrjet drejt stadiumit janë të blinduara, snajperë në çati, kontrolle të rrepta për çdo kalimtar, ndërsa qarkullimi i lirë qytetar është reduktuar në minimum. Një spektakël sportiv po përjetohet si një kërcënim kombëtar.
E megjithatë, shqiptarët, të cilët shpesh janë paragjykuar si impulsivë e gjaknxehtë, kanë ruajtur qetësinë. Nuk ka pasur asnjë incident, asnjë përplasje, asnjë gjest dhune. Asnjëherë. Ndryshe nga ajo që bënë huliganët serbë në Beograd, shqiptarët nuk kanë rënë pre e provokimeve. Ka munguar ajo egërsi që zakonisht shoqëron ndeshje të tilla. Kjo është një pjekuri e re, ndoshta e papritur për shumëkënd, por e mirëpritur.
Megjithatë, pyetja mbetet: përse një ndeshje futbolli duhet të shndërrojë një qytet të tërë në një zonë të rrethuar si në gjendje lufte? Përse jemi gjithnjë në pritje të më të keqes, edhe kur asgjë nuk e nxit atë? A është kjo një formë terrori psikologjik, një mekanizëm i shtetit për të treguar forcën përmes frikës?
Media ka luajtur një rol të dyfishtë në këtë klimë tensioni: nga njëra anë, ka ushqyer ndjesinë e rrezikut me tituj alarmantë dhe raportime që amplifikojnë frikën; nga ana tjetër, ka heshtur për absurditetin e masave të marra, duke e paraqitur përforcimin e forcave të rendit si normalitet. Në sytë e publikut ndërkombëtar, Tirana mund të duket si një metropol i paqëndrueshëm, ku edhe një ndeshje futbolli kërkon operacione speciale dhe ndërhyrje të jashtëzakonshme. I gjithë ky skenar i kontrollit, i mungesës së informacionit të qartë, dhe i prapaskenave të pashpjeguara, krijon një atmosferë që të kujton ato vende ku demokracia është një fasadë e brishtë, ku qytetarët jetojnë të survejuar dhe çdo lëvizje monitorohet. Jo rastësisht, dikush mund të ndjejë jehonën e një filmi si “Missing”, me hijet e errëta të një regjimi që nuk shihet, por ndihet.
Në vend që sporti të bashkojë, ai përçan. Dhe në vend që institucionet të garantojnë normalitetin, ato po mbjellin tension e panik. Tirana nuk është më një qytet që pret një ndeshje – por një qytet që pret një incident. Dhe kjo, më shumë se çdo humbje apo fitore në fushë, është humbja jonë më e madhe.
