Policia e Shtetit ka publikuar ditën e sotme përmbledhjen e veprimtarisë së saj në muajin maj, një muaj i ngjeshur me ngjarje të rëndësishme për vendin nga zgjedhjet e 11 majit, Samiti i Komunitetit Politik Europian e deri te Giro d’Italia.
Sipas përmbledhjes mujore, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka kryer 99 operacione policore me qëllim goditjen e krimit të organizuar. Nga ana tjetër ka realizuar edhe 34 operacione ndërkombëtare për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në muajin maj, Shqipëria priti ‘Giro d’Italia’, realizoi zgjedhjet vendore, priti Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe Turin e 82-të çiklistik, katër ngjarje të cilat kanë pasur një angazhim intensiv nga Policia e Shtetit.
‘Janë vënë në pranga 625 autorë të dyshuar veprash penale, janë sekuestruar para dhe pasuri me burime të dyshimta kriminale në vlerë totale rreth 415 000 euro, mallra të kontrabanduara, antiplumb, silenciatorë, dokumente dhe para false.’ -thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ana tjetër, në maj është realizuar edhe operacioni kombëtar ‘Koordinata’, ku janë asgjësuar 8.269 bimë/fidanë cannabis, duke goditur rrënjësisht përpjekjet për kultivim të paligjshëm.
Në përmbledhjen e muajit maj, Policia e Shtetit bën të ditur edhe realizimin e tre operacioneve për trafik armësh në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Durrës, ku janë arrestuar 21 persona të përfshirë.
Në përmbledhje bëhet e ditur edhe veprimtaria e Policisë Rrugore, e cila raporton se ka arrestuar 155 drejtues mjetesh dhe ka vendosur 12 440 masa administrative, shumica për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe drejtim nën ndikimin e alkoolit. m.p.