Nga Leonard Veizi
Pak kohë më parë, rastësisht, por krejt rastësisht ama, në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës ndoqa dramën “Epoka para gjyqit”, të shkruar nga Ekrem Kryeziu dhe ngjitur në skenë nga trupa e Teatrit Popullor.
Fillimisht, duhet thënë se “Epoka para gjyqit”, ishte një produksion i Radio Televizionit të Prishtinës në vitin 1978, ku veç skenarit Ekrem Kryeziu kishte marrë përsipër edhe vetë regjinë.
Çështë e vërteta, kisha vite që nuk e kisha ndeshur në ekran, një nga dramat emblemë të dramaturgjisë shqiptare. Dhe menjëherë më lindi pyetja: përse kjo vepër monumentale nuk transmetohet prej vitesh nga RTSH, i cili është edhe regjistruesi i saj origjinal?
Brezi i ri, që kalon orë të tëra mes serialeve të platformave si “Netflix”, nuk ka sot pothuajse asnjë mundësi të njihet me këtë gur themeli të dramaturgjisë sonë historike, e cila përçon një mesazh të fuqishëm për identitetin shqiptar.
“Epoka para gjyqit” nuk është thjesht një shfaqje teatrale – është një udhëtim në kohë, në një nga çastet më vendimtare të historisë sonë kombëtare: Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Drama ngrihet mbi këtë ngjarje madhore të vitit 1878, kur elita politike dhe ushtarake shqiptare, nën sundimin osman, guxoi të artikulojë për herë të parë një qëndrim të përbashkët për mbrojtjen e trojeve dhe për afirmimin e qenies shqiptare si komb i veçantë. Pikërisht këto rrethana historike shpalosen me mjeshtëri në skenë, duke na ofruar një pasqyrë të gjallë dhe emocionale të shpirtit të atyre burrave që hodhën themelet e rilindjes sonë kombëtare.
Në këtë dramë shkëlqejnë figurat ikonike të skenës shqiptare: Kadri Roshi si Abdyl Frashëri, një nga ideatorët dhe drejtuesit e Lidhjes, dhe Sulejman Pitarka si Sulejman Vokshi, komandanti trim që me pushkë në dorë mbrojti idealet që u artikuluan në atë kuvend historik. Kjo dyshe e jashtëzakonshme aktorësh i jep jetë dramës me një intensitet emocional të rrallë, duke kthyer ngjarjet e shekullit XIX në një përvojë të ndjeshme dhe të prekshme për publikun e sotëm.

Drama është realizuar me një kast të gjerë prej 27 aktorësh, nën regjinë skenike të Piro Manit dhe atë televizive të Agim Qirjaqit – dy emra të mëdhenj të historisë së artit tonë skenik. Përmes tyre, “Epoka para Gjyqit” merr formë të gjallë, ku fjalët, gjestet dhe tensioni dramatik bashkohen për të ndërtuar një realitet që ka qenë themelor për ngjizjen e shtetit shqiptar.
Është pikërisht kjo vepër që meriton të rikthehet në ekran – jo vetëm për të nderuar mjeshtërinë e aktorëve të brezit të artë, por edhe për të ofruar një mënyrë të denjë e të thelluar për të mësuar historinë.
Në thelb, kjo dramë është një akt i kujtesës kombëtare. Ajo na rikujton se pavarësia dhe shteti shqiptar nuk lindën rastësisht, por janë fryt i përpjekjeve të organizuara, i një rezistence të gjatë dhe i një ideali të përbashkët për liri.
Lidhja e Prizrenit, e vendosur mes presioneve të Perandorisë Osmane dhe rrezikut të copëtimit nga Fuqitë e Mëdha, u bë çasti i parë i artikulimit të qartë politik të aspiratave shqiptare. Dhe kjo dramë e sjell atë çast me një realizëm të jashtëzakonshëm dhe një dinjitet artistik që na nderon.
Në dramë bëhet fjalë për dënimin e Abdyl Frashërit dhe të Sulejman Vokshit. Dhe në fund të veprës, gjyqi i Portës së Lartë vendosi që Abdyl Frashëri të dënohej me burgim të përjetshëm, ndërsa Sulejman Vokshi, me varje në litar.
Në kohën kur informimi shpesh reduktohet në formate të shkurtra dhe sipërfaqësore, drama si “Epoka para gjyqit” mbetet një burim i pasur për të kuptuar sakrificat dhe vizionin e rilindësve tanë.
Përsëritja e kësaj vepre në ekranet tona nuk është luks, por nevojë. Është një mënyrë për të mbajtur gjallë trashëgiminë tonë kulturore e historike dhe për ta transmetuar atë, jo nëpërmjet librave të pluhurosur, por përmes artit që prek, që emocionon dhe që mbetet në mendje.
