Nga Leonard Veizi
Avionët e NATO-s pushuan inkursionet e tyre ajrore. Qitjet precize ndaj infrastrukturës ushtarake serbe u ndalën. Mbi qiellin e Kosovës nuk dëgjohej më zhurma e frikshme e bombarduesve që për më shumë se dy muaj kishin shpërthyer qendra komanduese, pista avionësh, depo municioni e një sërë objektivash strategjikë. Në kufi, në pikat e kalimit doganor, mbërritën autoblindat e para të KFOR-it, të shoqëruara nga ushtarë të armatosur me bereta blu e jelekë antiplumb. Kolonat ushtarake britanike u panë të parat të hynin në tokën e Kosovës, ndërsa serbët, të turpëruar, po tërhiqeshin nën heshtjen e një historie që po i mbyllte me zhurmë derën pas…
…Ka ditë që nuk janë thjesht shifra kalendarike. Ato ngërthejnë në vetvete fillime dhe funde. Mund të hapin plagë që nuk mbyllen kurrë, ose të shpërthejnë si dritë pas një nate të gjatë dhune, frike e nënshtrimi. 12 qershori i vitit 1999 është një nga ato ditë që historia nuk mund ta harrojë. Ishte çasti kur toka e Kosovës pushoi së dridhuri nga zhurmat e granatave, kur krismat u zëvendësuan nga britmat e gëzimit dhe kur lotët nuk rridhnin më prej tmerrit, por prej çlirimit. Pas shumë vitesh shtypje sistematike, represioni, ndalimi të gjuhës dhe simboleve kombëtare, pas një lufte të përgjakshme dhe një spastrimi etnik që tronditi ndërgjegjen e botës, Kosova mori frymë e lirë.

Ndërhyrja
Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ishte përmbyllja e një ofensive ajrore 78-ditore që kishte nisur më 24 mars 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje. Ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare, pa miratimin e OKB-së por me legjitimitetin e ndërgjegjes botërore, ishte përgjigjja që Perëndimi i dha një regjimi që kishte përsëritur në Kosovë atë që kishte bërë në Bosnje: spastrimin etnik, masakrat, përdhunimet masive, zhdukjen e njerëzve dhe djegien e tokës. Marrëveshja e Kumanovës e 9 qershorit sanksionoi fundin e pranisë serbe dhe fillimin e një kapitulli të ri.
Ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës i dha jehonë luftës për çlirim e për liri. Ajo jo vetëm dha dëshmorët e saj por pati dhe meritën e madhe, sepse u bë aleate e NATO-s dhe e Perëndimit.
Në mëngjesin e 12 qershorit, forcat britanike të komandantit Mike Jackson hynë në Prishtinë, të pritura me lule, flamuj shqiptarë dhe duartrokitje nga qytetarët që, pas javësh të tëra arratie, ktheheshin në rrugët e tyre, ndonëse ato ishin mbushur me rrënoja, kraterë dhe heshtje mortore. Në çdo qytet e fshat, njerëzit zbrisnin nga malet e pyjet. Kolonat e refugjatëve ktheheshin nga Shqipëria e Maqedonia, të mbushura me karroca, foshnja në krahë dhe shpresë në sy.

Dëmtimet
Statistikat flasin vetë: mbi 10 mijë civilë të vrarë, më shumë se 1 milion të shpërngulur me dhunë, 1200–1400 të zhdukur, mijëra gra të përdhunuara, qindra fshatra të djegura dhe një ekonomi e shkatërruar. Por ajo që nuk u shkatërrua ishte zemra e një populli që nuk pranoi të zhdukej. Çdo varr i hapur në Prekaz, Meje, Rezallë, Krushë e Madhe, Suharekë e qindra vendbanime të tjera, fliste për një qëndresë që nuk u thye. Emri i Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, ishte bërë tashmë gurthemeli i identitetit të ri kombëtar.
Nga ajo ditë, Kosova nisi rrugën e ndërtimit mbi dhimbjen. Ishte një liri e fituar me gjak, jo një pavarësi e dhuruar. Administrata e përkohshme e OKB-së (UNMIK) u vendos për të stabilizuar vendin, ndërsa KFOR-i mori përgjegjësinë për sigurinë. Rrugët, shkollat, sistemet institucionale duhej të rindërtoheshin nga e para. Por ajo që kishte rëndësi, ishte se tani populli fliste në gjuhën e vet, me flamurin e vet, pa frikë dhe pa censurë.
Në modelin e vendimeve të Jaltës për Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, territori i Kosovës u nda në pesë sektorë ose rajone, duke u dhënë mundësinë Fuqive të Mëdha të merrnin secili nga një sektor. Amerikanët morën në zotërim zonën Ferizaj-Gjilan, gjermanët Prizrenin, anglezët Prishtinën, italianët zonën Gjakovë-Pejë dhe francezët në Mitrovicë.

Liria
Prej asaj kohe, çdo 12 qershor nuk është vetëm një ditë pushimi apo një ngjarje që shënohet në podiume politike. Është dita kur Kosova i tregoi botës se dhimbja mund të lindë dinjitet dhe se një popull mund të ringrihet edhe nga hiri. Është kujtesë për ata që dhanë jetën dhe detyrim për ata që jetojnë lirinë sot – për ta çuar përpara një vend që nuk e fitoi shtetin me marrëveshje tavolinash, por me pushkë në dorë, këmbëngulje dhe besim në drejtësi.
Sepse më 12 qershor 1999, për herë të parë pas një shekulli, Kosova mori frymë e lirë. Dhe ajo frymë ende mbart aromën e sakrificës, të plagës dhe të premtimit për të mos u kthyer më kurrë pas.
