Nga Sebi Alla
Vetëm politika është në normalitetin e saj pas zgjedhjeve të 11 majit. Në një rrugë që nuk ndryshon kurrë, zgjedhjet bëhen, më pas anatemohen nga humbësi dhe festohen si triumf i pastër nga fituesi. Edhe në shtatorin e ri politik, asgjë nuk pritet të ndryshojë. Rama është aty, për të shmangur deri në injorim sa të mundet Parlamentin, duke e konsideruar “angari të panevojshme”. Sipas tij nuk ia vlen të merresh më opozitën, sepse ai thotë se “llogaridhënien e ka me popullin”.
Në një vend demokratik, opozita është mundësi dhe qeveritë fillimisht duhet të japin llogari para opozitës (si përfaqësuese e popullit të papërfaqësuar në qeveri) dhe më pas ndaj qytetarëve, veçanërisht kur ata ngrihen në protesta për një çështje të caktuar. Po a është aq demokratike edhe opozita? Fatkeqësisht të dyja ngjajnë të balancuara. Kryeministri Rama vijon mandatin e katërt me më shumë forcë, ndonëse ç’ka ka lënë pas në 12 vite qeverisëse përfshin korrupsionin në nivele të larta, krim të organizuar, shpesh të lidhur me elitën policore, apo edhe politike në nivel deputetësh, la pas edhe një fenomen të rëndë siç është emigracioni, apo edhe varfëri për rreth 40 % të popullsisë në vend.
Megjithë këto mëkate, një opozitë frymëzuese do e kishte aq të lehtë fitoren sa kurrë sdo e vinte në dyshim, por këtu edhe opozita si pjesë e rëndësishme politike është futur në normalitet mjaft të lexueshëm pa asnjë befasi: Një individ që dikton gjithçka dhe nuk pranon humbjen, duke premtuar se është në mision për votën e lirë të shqiptarëve. E gjithë mënyra qeverisëse, por edhe mënyra e të bërit dhe funksionimit të opozitës është në anormalitet të plotë, ndonëse palët e kanë kthyer në normalitet, duke mos i përngjarë asnjë vendi demokratik, veçanërisht BE-së nga ku duam të shkojmë, por jemi mjaft larg saj në koncepte të funksionimit të demokracisë dhe ndarjes së institucioneve.
Po qytetarët shqiptarë në çfarë normaliteti jetojnë? Paradoksalisht qytetarët mendojnë se janë në normalitet të zakonshëm. Angazhohen fuqishëm përgjatë zgjedhjeve, bëjnë tifozin për një forcë politike dhe në fund pranojnë si normale, pikërisht anormalen. Vijojnë të mallkojnë se politikanët janë “hajdutë” të papërgjegjshëm dhe abuzues, ndonëse i kanë votuar për t’i qeverisur, apo për t’i lënë në opozitë.
Kur u vjen halli në prag kërkojnë që “shteti të vërë dorën në zemër”, ndonëse në shumë raste janë në të drejtën që u takon, e sërish nuk protestojnë për çka u takon me kushtetutë, ligj apo të drejtë por luten për mëshirë. Koncepti protestë është aq i kufizuar sa edhe për kauza të mëdha sfumohen mjaft lehtë, ku paradoksalisht jemi ndër të pakëtat “vende demokratike” që një protestë e nisin me numër relativisht të madh dhe me kalimin e kohës zbehet, pikërisht atëherë kur duhet të rritet.
Kauza të të mëdha të lëna në mes. Një shembull domethënës janë krimet e rënda që mbesin në dyshimin se kanë ardhur ose nga neglizhenca e institucioneve, ose nga strukturat policore të përlyera në raste të veçanta në afera. Protestat nisin fillimisht në rrjetet sociale me klithje mallkimesh dhe komente për përgjegjësit e mundshëm. Në raste të veçanta kapin edhe sheshet. Kauza të drejta dhe revoltë qytetarësh të vendosur, por gjithçka ndodh më pas është shuarje e plotë, për të lënë në përballje vetëm ata që u ka rënë halli në pragun e shtëpisë.
Normale quajnë edhe kur nuk marrin shërbimin që u takon, në pengmarrje të pafundme për një pronë që u takon, në mungesën e shërbimeve elementare që duhet të mbajnë firmën e institucioneve shtetërore. Të gjithë futen në rrjedhën e zakonshme, duke pranuar anormalitetin si normalitet, teksa ata që bërtasin për “anormalitet” janë pikërisht elitat politike që gjallojnë nga normaliteti qytetar! m.p.