Nga Fejzo Subashi.
Përplasja gjithnjë e në rritje mes Izraelit dhe Iranit, e cila deri dje gjykohej për mundësin e një lufte, sot aktualisht nuk është vetëm një konflikt i zakonshëm ushtarak, por një luftë e cila dita ditës po merr përmasa të mëdha, jo vetëm midis këtyre vendeve, por dhe përtej këtyre shteteve.
Kjo luftë është kulmimi i një historie të gjatë armiqësish, përplasjesh ideologjike dhe mungese të mekanizmave demokratikë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Është një plagë e hapur në trupin e një bote që nuk ka ditur, apo nuk ka dashur, të mësojë nga gabimet e së shkuarës.
Ky konflikt është pasojë e drejtpërdrejtë e një politikëbërjeje që ka privilegjuar forcën mbi të drejtën, ideologjinë mbi dialogun dhe interesin afatshkurtër mbi paqen afatgjatë. Politika rajonale e Lindjes së Mesme ka qenë shpesh skenë për llogari të mëdha globale, ku popuj të tërë janë kthyer në peng të strategjive të fuqive të jashtme dhe elitave të mbyllura politike.
Irani, me potencial të madh e mundësi ekonomike, por me një regjim teokratik që prej vitit 1979, dhe Izraeli, si një shtet me rend demokratik, por shpesh i pozicionuar me agresivitet në rajon, janë dy pole që kanë ndërtuar me vite një retorikë lufte, një armiqësi të përhershme dhe një spirale hakmarrjesh që nuk ofron zgjidhje. Larg kësaj armiqësie nuk ka qëndruar as komuniteti ndërkombëtar, ku shpesh herë në vend që të shërbejë si ndërmjetës, ka zgjedhur të heshtë, të rreshtohet apo të ushqejë konfliktin për interesa të vetat.
Por çfarë na tregon sot ky realitet dhe kjo përballje? Na tregon qartë se bota moderne është ende thellësisht e pambrojtur nga politikat e së shkuarës. Tregon se tranzicioni global drejt demokracisë, drejt një kulture të bashkëjetesës dhe respektit reciprok, është i papërfunduar. Tregon se, përkundër zhvillimeve teknologjike, kemi ngecur në mënyra të vjetra dhe të kohës së shkuar, se si i qasemi zgjidhjes së konflikteve.
Ky nuk është vetëm një konflikt politik. Është një pasqyrë tragjike e një bote që nuk ka arritur të ndërtojë një sistem ndërkombëtar ku parimet demokratike si llogaridhënia, transparenca, përfaqësimi dhe e drejta ndërkombëtare të mbizotërojnë mbi logjikën e armëve dhe frikës.
Demokracia në këtë kuptim nuk është vetëm sistem zgjedhjesh. Ajo është mënyrë të menduari, mënyrë të qeverisuri dhe mënyrë të bashkëjetuari. Ndërtimi i demokracisë është rruga e vetme për të ndërtuar paqe të qëndrueshme, brenda vendit, në rajon dhe në Botë. Kjo sepse në një shoqëri demokratike vendimmarrja është gjithëpërfshirëse, kritika është e ligjshme, debati është i shëndetshëm dhe drejtësia është e ndarë nga pushteti politik.
Por çfarë ndodh në mungesë të saj? Në mungesë të saj ndodh ajo që sot në të katër anët e kësaj bote, shohim, ndeshim dhe përballemi: Me udhëheqës që nuk i japin llogari askujt… Popuj që jetojnë në ankth të përhershëm… Media të kapura, gjuha urrejtjeje, polarizim ekstrem dhe mbi të gjitha një rend ndërkombëtar që funksionon më shumë si arenë përçarjeje sesa si komunitet bashkëpunimi.
Lufta Izrael-Iran, për fat të keq, mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e kësaj situate. Në një botë ku demokracia është gjithnjë e sot më shumë se kurrë në rënie. Ku institucionet ndërkombëtare janë të dobësuara, burokratike në maksimumin e tyre, ku merren me gjithçka, por jo të duhurën. E më e keqja është se qytetarët ndihen të përjashtuar. Rënia e nivelit të përfaqësimit të këtyre institucioneve e cila është e dukshme dhe me rënien e nivelit të e lidershipëvë, te cilët lënë për të dëshiruar më staturën e tyre, e cila është e dukshme me pa mundësin dhe zotësinë e për një vendim marrje, aq më pak të një vendimmarrje të duhur dhe e arrirë. Përballë këtij realiteti dhe situate përplasjet do të bëhen gjithnjë e më të pashmangshme.
Por duhet thënë troç: kjo nuk është një rrugë pa kthim. Historia ka treguar se momentet më të errëta kanë prodhuar reflektime të thella. Bota pas Luftës së Dytë Botërore ndërtoi një rend të ri, mbi themele të reja. Sot, më shumë se kurrë, na duhet një përpjekje e ngjashme një rilindje e përbashkët për demokracinë, për paqen, për drejtësinë dhe për një sistem ndërkombëtar që nuk i shërben vetëm më të fortit.
Është koha që qytetaria botërore të ngrihet mbi kufijtë dhe ideologjitë. Të kërkojë llogari. Të kërkojë dialog. Të mos pranojë më që e ardhmja të digjet nga flakët e së shkuarës.
Sepse në fund, pa demokraci, pa drejtësi dhe pa ndërgjegje globale, nuk do të ketë as paqe të qëndrueshme, as zhvillim të vërtetë, as një botë më të mirë për brezat që vijnë./kb