Nga Leonard Veizi
A thua kinemaja në vazhdimësinë e saj na ka dhënë prej kohësh mesazhe të koduara?
Në sipërfaqe, “Kingsman: The Secret Service” prodhim i vitit 2014, shfaqet si një film aksion-komedi elegante që luan me klishetë e filmave të agjentëve britanikë. Një djalosh i ri rekrutohet nga një agjenci sekrete, kalon prova të pamundura dhe përballet me një super-keqbërës me plane për të pushtuar botën. Por pas kësaj fasade zbavitëse dhe humoristike, fshihet një satirë e mprehtë dhe shqetësuese për të ardhmen e njerëzimit – sidomos në lidhje me teknologjinë, manipulimin e mendjes dhe kontrollin mbi jetën njerëzore.
Plani i shekullit XXI: jo më bomba, por valë sinjalesh
Personazhi i Richmond Valentine, një miliarder karizmatik i teknologjisë, përfaqëson një lloj të ri “shpëtimtari”. Ai nuk kërkon para, pushtet politik apo territore. Ai pretendon se po shpëton Tokën nga kërcënimi më i madh: vetë njerëzimi. Me logjikë të ftohtë ekologjike, Valentine arrin në përfundimin se reduktimi i popullsisë është i domosdoshëm për të shmangur kolapsin klimatik dhe mbipopullimin.
Por mënyra si ai synon ta realizojë këtë nuk është përmes sterilizimit, luftës apo urisë – mjetet klasike të totalitarizmit biologjik. Ai përdor një teknologji të padukshme, një sinjal që shpërndahet përmes valëve celulare, dhe që transformon përdoruesit e SIM-kartave falas në subjekte të dhunës së pakontrolluar. Jo një akt i drejtpërdrejtë vrasjeje, por një nxitje e instinktit më të errët të njerëzimit: vetëshkatërrimit.
Kontrolli i mendjes si teknologji e re e pushtetit
Kjo është ndoshta pjesa më e errët e filmit. Valentine nuk kërkon të komanduar si diktatorët e vjetër – ai thjesht dëshiron që masa të vetë-asgjësohet, pa e kuptuar, përmes një teknologjie që i zhduk frenat morale dhe i vë mendjet e njerëzve në gjendje histerie kolektive.
Në këtë mënyrë, Kingsman nuk i qëndron larg frikës reale të kohëve moderne: se teknologjia, e cila në dukje na bashkon dhe na ndihmon, mund të përdoret për të zhbërë arsyen dhe individualitetin, duke na kthyer në turma të lehta për t’u manipuluar. Çdo pajisje në xhepin tonë është potencialisht një “valvul” për kontrollin e sjelljes, ndjenjave, vendimeve.
Elita e shpëtuar dhe shumica e sakrifikuar
Një tjetër aspekt i planit të Valentine është seleksionimi social. Ai fton liderë botërorë, politikanë, artistë, miliarderë dhe të famshëm në një lloj “arke” moderne, një bunker ku ata do të mbijetojnë ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit zhduket. Aty lind një tjetër kritikë e mprehtë e filmit: ideja se bota mund të rindërtohet nga pakica që kontrollon kapitalin dhe teknologjinë, ndërsa shumica e “padobishme” mund të sakrifikohet për të “mirën më të madhe”.
Ironikisht, Valentine urren dhunën. Kur përballet me gjak apo brutalitet, ndjen neveri dhe përzihet. Por nuk e ndalon veten nga realizimi i një masakre globale të heshtur – thjesht sepse nuk i përlyen duart vetë. Ky është portreti i një të keqeje të sofistikuar, që nuk ulëret, nuk kërcënon me armë, por flet me mirësjellje për ruajtjen e natyrës ndërsa lëshon sinjale vdekjeje nëpërmjet antenave celulare.
Kur argëtimi fsheh një paralajmërim
E gjithë kjo do të ishte e tepërt për një film që mendohet si “blockbuster”, nëse nuk do të ishin detajet që Kingsman i ngul me kujdes në kujtesën e shikuesit: sim-kartat falas si mjet kontrolli, kisha si laborator eksperimentimi mbi histerinë kolektive, teknologjia si shpëtim dhe mallkim njëkohësisht, dhe mbi të gjitha, kërcënimi i padukshëm që nuk vjen nga lufta, por nga algoritmi.
Në këtë mënyrë, Kingsman: The Secret Service bëhet më shumë se një parodi elegante e zhanrit spiunazhit. Ai është një shtresë ironike mbi fuqinë e teknologjisë për të diktuar jetët tona, një paralajmërim alegorik për atë që mund të ndodhë kur pushteti kalon në duar që nuk i përkasin demokracisë, por kapitalit teknologjik.
Nëse dikur frika më e madhe vinte nga diktatorë me uniforma, sot ajo vjen nga CEO me kapuç sportiv dhe vizion global, që shpërndajnë aplikacione falas por marrin në këmbim akses në mendjet tona.
Kingsman na paralajmëron me stil, por edhe me ironi therëse: e ardhmja mund të mos vijë me zhurmë, por me një sinjal pa zë që fshin arsyen nga brenda.
