Alexander Hurst
Në të gjithë median europiane, duket se mbizotëron i njëjti mendim – se BE-ja është “nën presion” për të përmbyllur një marrëveshje me SHBA-në përpara afatit të 9 korrikut të vendosur nga Donald Trump, kur ai ka paralajmëruar vendosjen e njëanshme të tarifave të gjera tregtare. Çfarë mund të përfshijë kjo marrëveshje? Që në fillim të majit, komisioneri europian për tregtinë, Maroš Šefčovič, sugjeroi se një marrëveshje për të shtuar importet nga SHBA mund të përfshijë edhe produkte bujqësore – një mundësi që mbetet në tryezë edhe pse më vonë ai sqaroi se BE-ja nuk po mendon të ndryshojë standardet e saj të shëndetit apo sigurisë ushqimore.
Duke qenë se nuk ia kam dalë të krijoj një akronim goditës si “Taco” (“Trump Always Chickens Out”), term i shpikur nga kolumnisti i Financial Times Robert Armstrong, do t’i drejtohem thjesht një linje të drejtpërdrejtë: hapja, qoftë edhe e vogël, e derës për më shumë importe ushqimore amerikane në BE do të linte një shije të hidhur në gojën e të gjithëve. Qasja shantazhuese e Trump në tregti nuk duhet të shpërblehet – aq më pak me diçka kaq personale dhe të afërt si ushqimi.
“Bashkimi Europian nuk do të pranojë pulat nga Amerika. As gaforret. E urrejnë mishin tonë të viçit sepse mishi ynë është i bukur dhe i tyrëve është i dobët,” deklaroi sekretari amerikan i tregtisë, Howard Lutnick, në prill. Por, përtej të qeshurave, sa herë që kthehem në SHBA, bëhem vegjetarian për gjithë kohën e qëndrimit – edhe pse perimet në dyqanet amerikane janë zakonisht të mëdha, pa njolla dhe… pa shije. Pse? Quajeni paranojë, por thjesht nuk dua të konsumoj hormonet e rritjes që ndoshta gjenden në atë “mish të bukur” të përmendur nga Lutnick dhe që janë të ndaluara në BE.
U rrita në Ohio, dhe përjetova nga afër forcën e plotë të kulturës ushqimore amerikane. Ishin vitet ‘90, kur margarina ishte “in” dhe gjalpi “out”; një shembull që tregon sa thellë kishte hyrë ushqimi i përpunuar në çdo aspekt të jetës, përfshirë edhe te familja ime vegjetariane, ku konsumoheshin zëvendësues mishrash të përpunuar në mënyrë ekstreme. Njerëzit përreth kishin qëllime të mira, por si mund t’i rezistosh një sistemi që nga maja në fund ka qenë ndërtuar për të futur shurupin e misrit në çdo gjë – madje edhe në ushqimet e fëmijëve nëpër shkolla?
Për hir të së vërtetës, kjo ka nxitur një reagim të brendshëm ndër vite, por ky sistem ende ka një forcë të madhe shtytëse: pothuajse çdo herë, konstatoj se niveli standard i sheqerit në SHBA është shumë më i lartë nga sa më pëlqen tani. Madje edhe në vende ku nuk do e prisje kurrë të gjendet sheqer i shtuar – si te pica.
Dhe pse duhet të ketë ndonjë besim të shtuar në rregulloret amerikane për sigurinë ushqimore, kur administrata Trump ka shkatërruar në themel kapacitetet rregullatore dhe administrative të qeverisë amerikane, përfshirë FDA-në (Agjencinë e Ushqimit dhe Barnave)?
Disa prej jush mund të mendojnë: “Alexander Hurst, tashmë qytetar i natyralizuar francez, është kthyer në një shovinist tipik”; konvertitët janë më të këqijtë. Por nuk jam vetëm unë. Ka një nënkulturë të tërë në internet që lartëson virtytet e gjalpit francez ose ndan përvoja të amerikanëve që vizitojnë Francën dhe kuptojnë për herë të parë se si është shija e vërtetë e pjeshkës apo e luleshtrydhes.
Përveç çështjes nëse europianët duan apo jo të konsumojnë produkte bujqësore amerikane, një marrëveshje hipotetike do të kishte ndikime shumë negative për klimën. Transporti i ushqimeve llogaritet për rreth 20% të ndotjes globale nga bujqësia, dhe pjesa e Europës në këtë ndotje përmes importeve është tashmë e lartë. Ne duhet ta ulim këtë ndikim, jo ta shtojmë duke sjellë produkte që udhëtojnë pa nevojë përtej Atlantikut.
Si mund t’u kërkojmë fermerëve europianë të përshpejtojnë kalimin drejt bujqësisë rigjeneruese (e cila ofron potencial për të reduktuar ndjeshëm ndotjen), nëse njëkohësisht ata dëmtohen nga konkurrenca e prodhuesve amerikanë që veprojnë me standarde rregullatore shumë më të ulëta?
“Europa tashmë prodhon gjithçka që i duhet. Gjëja e fundit që duam të qarkullojë është mishi me hormone ose pula të klorinuara,” thotë Lindsey Tramuta, autore e The Eater Guide to Paris. “Edhe përtej vetë produkteve, është çështja e distancës: përse të sjellim ushqime nga SHBA, kur europianët mund të furnizohen me gjithçka më afër shtëpisë?”
Yannick Huang, menaxher i restorantit vietnamez Loan në lagjen Belleville të Parisit, pajtohet. “Në një kohë kur po mundohemi të shkojmë drejt ushqimit organik dhe vendas, është e kotë të kërkosh të importosh nga SHBA,” më tha ai. Huang, i cili është i fiksuar pas cilësisë së përbërësve, shërben vetëm mish francez. Sipas tij, bujqësia amerikane ka gjithmonë konotacione negative si OMGJ-të dhe probleme të tjera.
Dikush mund të thotë: Po a nuk është kontradiktore të kundërshtosh tarifat e Trump dhe njëkohësisht të mbrosh proteksionizmin ushqimor? Pikë e drejtë: është vështirë të gjesh një qasje të vetme për globalizimin. Ai ka dëmtuar disa punëtorë në ekonomitë e pasura, por njëkohësisht ka ndihmuar në ngushtimin e hendekut midis vendeve të varfra dhe atyre të pasura. Asnjë vend në botë nuk ka një zinxhir tërësisht të pavarur për prodhimin e çipave gjysmëpërçues, dhe në disa sektorë ku globalizimi ka shkuar shumë larg, tërheqja mbrapsht mund të jetë edhe më e dëmshme ekonomikisht. Por asgjë nga këto nuk do të thotë se duhet të globalizojmë edhe ato gjëra që historikisht kanë mbetur lokale – sidomos ushqimin.
Ramzi Saadé, kuzhinier libanezo-kanadez që drejton restorantin Atica në Paris, ka një qasje rajonale të rreptë ndaj kuzhinës së lartë. Por fakti që udhëheq klientët në një “udhëtim zbulimi” nuk do të thotë që përbërësit e tij duhet të bëjnë të njëjtin udhëtim. Edhe pse fokusohet fillimisht në kuzhinën baske e tani në atë korsikane, ai siguron pothuajse të gjithë përbërësit nga rajoni përreth Parisit. Për një pjatë qengji me 13 elementë të ndryshëm, vetëm nepeta-ja (një bimë korsikane) kishte bërë një udhëtim të gjatë. “A është roli im të të sjell kulturën japoneze përmes wasabi-t të fluturuar drejt Parisit?” pyeti Saadé. “Jo. Roli im është të të tregoj që ai grihet në një mënyrë të caktuar dhe vendoset në peshk për një arsye të caktuar – dhe këtë mund ta bëj me wasabi nga Franca.”
Nuk mund të mos mendoja se është shumë më interesante të veprosh në këtë mënyrë – të interpretohet një kuzhinë, jo të transplantosh atë mekanikisht.
Ne jemi ajo që hamë. Kuzhina është një mjet komunikimi; ajo lidhet ngushtë me tregimin që i bëjmë vetes se kush jemi. Ndoshta prandaj është kaq shqetësuese kur ushqimi bëhet peng i interesave ekonomike apo gjeostrategjike.
Intensiteti dhe larushia rajonale e Europës është pjesë thelbësore e mënyrës se si ajo ushqehet – dhe për rrjedhojë, edhe e identitetit të saj. Hapja e tregut ndaj një depërtimi masiv të bujqësisë amerikane do të gërryente dalëngadalë këtë pasuri. Është një propozim që, nëse del ndonjëherë nga kuzhina, duhet kthyer menjëherë pas.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi