Disa lojtarë të përfaqësueses tonë po shqyrtojnë ofertat e ardhura në treg, me shpresën se sezonin e ri do të paguhen më mirë, por mund të luajnë edhe në nivele shumë të larta të futbollit. Broja, Manaj, Asllani, Ismajli, Hoxha e të tjerë po shqyrtojnë alternativat, ndërkohë që në orët e fundit në skemën e një shitjeje të mundshme është dhe kapiteni i përfaqësueses kuqezi, Berat Gjimshiti, i cili kërkohet me ngulm nga sheikët arabë. Ndërkohë, ende nuk ka një vendim në lidhje me Mirlind Dakun në Rusi, pra nëse do të rrijë apo të largohet nga Rubin Kazan. Nga ana tjetër, Armando Broja mbetet ende pa skuadër, pavarësisht se Çelsi e ka nxjerrë në shitje. Për Kristjan Asllanin ka interesime por Interi do të marrë një vendim pasi të përfundojë Botërori i Klubeve.
Berat Gjimshiti në këtë verë gjendej përsëri në një udhëkryq, pasi duhej të vendoste nëse dëshironte të ishte përsëri protagonist në nivelet më të larta me klubin e Atalantës, apo të pranonte një ofertë shumë të mirë financiare që i ka ardhur nga Katari. Zgjidhjen, duket se ia ka gjetur klubi i tij. Klubi i Al Rajan në Doha është gati të paguajë shifra të çmendura për kapitenin e Kombëtares shqiptare dhe për të dytën verë radhazi ka kërkuar transferimin e tij nga Atalanta. Klubit bergamask i është propozuar edhe një shifër prej rreth 10-12 milionë eurosh për të lënë të lirë futbollistin i cili hyn në vitin e fundit të kontratës së tij. Për këdo kjo do të ishte një ofertë e vështirë për t’u refuzuar.
Por për Atalantën gjërat ndryshuan shumë në këtë verë me largimin e trajnerit Xhampiero Gasperini dhe afrimin e Ivan Juriç. Ndaj sipas mediave lokale, më saktësisht edicionit të Bergamos të “Corriere Della Sera”, klubi ka vendosur që të refuzojë ofertën nga Katari për lojtarin. Gjimishtit i kërkohet që të qëndrojë e të vazhdojë të bëjë liderin e mbrojtjes së zikaltërve në një tjetër sezon të rëndësishëm me praninë në Ligën e Kampioneve. Ai vlerësohet si pika e referimit sa i përket prapavijës së Atalantës ndaj klubi ka hequr dorë nga përfitimi që mund të kishte për shitjen e Gjimshitit, edhe pse rrezikon që në vitin tjetër, nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët për rinovimin, ta humbasë me parametër zero.
Miqësore me Gjibraltarin në shtator
Shqipëria e zgjidh çështjen për datën e lirë të FIFA-s në shtator, duke rënë dakord të zhvillojë një duel miqësor në transfertë me një vend fare të vogël në Europën mesdhetare. Kështu, Shqipëria do të zhvillojë ndeshje miqësore me Gjibraltarin në shtator. Është zbuluar kundërshtari modest, që pritet të zyrtarizohet edhe nga FSHF. Për kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo do të jetë transfertë. Mësohet se kjo ndeshje pritet të luhet më 4 ose 5 shtator, pikërisht përpara ndeshjes me Letoninë. Ndaj këtyre të fundit ndeshja do të jetë në “Air Albania”, për kualifikueset e Botërorit 2026. Do të jetë për herë të parë në histori, që Shqipëria dhe Gjibraltari do të përballen bashkë. Për nëntorin e vitit 2020 kujtojmë se ishte programuar një ndeshje Shqipëri-Gjibraltar në “Elbasan Arena”, por që u anulua më pas për shkak të masave gjatë pandemisë COVID-19./e.t